Nga bujqësia dhe kujdesi për tokën e natyrën. Në këtë trinom të rëndësishëm të lidhur së bashku, përfshihet një kontribut i çmuar për zhvillimin rural. Në programet e saj të mbëshjtetjes AZHBR ka edhe shërbimet mjedisore, të cilat si asnjëherë më parë kanë marrë një vëmendje të shtuar, duke rikujtuar përmes këtij fokusi se sa rëndësi ka natyra. Në ditën botërore të ruajtjes të natyrës, Drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca në një postim në rrjetet sociale nënvizoi projektet që i kanë dhënë jetë zonave malore, duke përmirësuar pyjet, lerat, kullotat dhe shtuar pyllëzimin.
“Nuk mund ta mbyll këtë ditë pa përmendur kontributin konkret dhe të qenësishëm që AZHBR ka kryer për mjedisin. Në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Bankën Botërore @dritadade, Qeverinë Suedeze përfunduam me sukses zbatimin e 157 investimeve nga Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave si edhe fermerë përdorues të sipërfaqeve pyjore kullotë. Objektiv kryesor kishim kontributin në ruajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve malore, përmirësimin e bujqësisë dhe pylltarisë, si dhe mbështetjen në zgjerimin dhe përmirësimin e burimeve pyjore”.
Krifca shton, se pikërisht këto financime kanë sjellë një pamje tjetër në zona shumë të thella e të larta malore në 30 plane të menaxhimit të mikrobazeneve që i përkasin Njësive Administrative: Zall Bastar, Kala e Dodës, Melan, Sllove, Arras, Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Trebisht, F.Bulqize, Kurdari/Suc, Lis, Xibër, Derjan, Kthellë, Blinisht, Kolsh, Kallmet, Zejmen, Krume, Shishtavec, Terthore, Bushtricë, Fierzë Tropojë, Tropojë-fshat, Stravaj, Qendër, Hotolisht, Trebinjë, Udenisht, Velçan, Proptisht, Aranitas.
“Investimet mundesuan: Përmiresim Pyjesh me një sipërfaqe 4,938.26 Ha, përmiresim Kullote me nje sipërfaqe 1,228.73 Ha. Pyllëzim i ri i shtuar me një sipërfaqe 443.29 Ha, 97 Lera të reja, 18 Prita Malore të shtuara. Të gjitha investime që krijojnë punësim dhe kontribut të vlefshëm në ekosistemin mjedisor dhe bujqësor dhe ku vlera e mbështetjes multiplikohet ndjeshëm për efektin ekonomik që krijon në komunitetet e angazhuara që jetojnë me malin dhe pyllin”, shkruan Krifca.
Me urimin për 28 korrikun, Krifca thotë se kjo ditë duhet të shërbejë si një reflektim për kontributin e secilit për ta ruajtur dhe mbrojtur mjedisin që na jep jetë.
alert.al








