Menu

Përkujtohet në Zvicër 24 mars 1999, 26-vjetori i nisjes së bombardimeve të NATO-s. Takim i diasporës për bashkim e reflektim

Fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake serbe, nuk mund të mos përkujtohej nga shqiptarët e diasporës në Zvicër dhe më gjerë. 24 marsi shënoi 26-vjetorin e nisjes së bombardimeve të Aleancës kundër forcave ushtarake dhe policore serbe për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kjo ditë shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, pasi hapi rrugën drejt çlirimit të Kosovës nga regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviçit, i njohur ndryshe si “Kasapi i Ballkanit”. Pas refuzimit të Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë, NATO ndërmori një fushatë ajrore që zgjati 78 ditë, duke sjellë përfundimisht lirinë për popullin e Kosovës. Kjo datë historike përkujtohet çdo vit jo vetëm në atdhe, por edhe në mërgatë, ku shqiptarët e diasporës vazhdojnë të ruajnë dhe të promovojnë vlerat kombëtare. Këtë vit, një ngjarje e veçantë u organizua Zyrih (Zvicër).

Ky event, i cili u zhvillua në prag të ditëve të fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, u shoqërua me një darkë-iftar dhe bashkëbisedime mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në diasporë dhe në atdhe.

Në këtë tubim morën pjesë personalitete të njohura nga fusha e diplomacisë, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile. Ndër të pranishmit ishin Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, Z. Rexhep Demiri; Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Zyrih, Z. Vigan Berisha; Sekretari i Parë i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Z. Valon Gashi; Z. Gjenis Haxhimemeti, diplomat në Ambasadën e Kosovës në Bernë; disa imamë të njohur, disa bizsnemenë dhe përfaqësues të diasporës në Zvicës, si dhe biznesmeni e filantropi i njohur Z.Lazim Destani.

Ky takim shërbeu si një moment reflektimi mbi rolin e mërgatës shqiptare në çështjet kombëtare dhe për ti kujtuar gjithmonë ata që dhanë jetën për Kosovën e çështjen kombëtare në përgjithësi. Secili nga të pranishmit dha një mesazh të rëndësishëm për domosdoshmërinë e unitetit dhe angazhimit të mëtejshëm në fushën e diplomacisë, edukimit dhe ekonomisë.

Filantropi dhe afaristi Lazim Destani mbajti një fjalim të veçantë, ku theksoi rëndësinë e bashkimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të komunitetit shqiptar. Ai u shpreh se puna dhe përkushtimi i diplomatëve shqiptarë duhet të vlerësohet dhe mbështetet, duke përmendur në veçanti ambasadorin e Maqedonisë së Veriut, Z. Rexhep Demiri, si një shembull të angazhimit të sinqertë për të mirën e kombit.

Në këtë mbrëmje u diskutuan tema të ndryshme me rëndësi për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë, duke përfshirë; ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në mërgatë; Mundësitë për investime në trojet shqiptare; Situata aktuale politike në atdhe; Rëndësia e shkollave shqipe në diasporë; Edukimi i të rinjve dhe perspektivat për të ardhmen; Idetë për krijimin e një universiteti shqiptar në Zvicër, përmes Institutit Shkencor Helvetik.

Një nga propozimet më interesante të mbrëmjes erdhi nga Ph.D. Dashnim Hebibi, i cili theksoi nevojën për një institucion arsimor të lartë shqiptar në Zvicër. Ky projekt do të ndihmonte në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe historisë shqiptare për gjeneratat e ardhshme, duke e bërë më të lehtë integrimin akademik dhe profesional të të rinjve shqiptarë në Evropë.

Në këtë mbrëmje festive dhe përkujtimore, në tavolinë ishin vendosur flamuri kombëtar shqiptar, flamuri i Kosovës, ai i Zvicrës dhe i Maqedonisë së Veriut, duke simbolizuar bashkimin dhe harmoninë mes shqiptarëve kudo që janë. Në fjalët e tyre, të pranishmit e theksuan rëndësinë e mosndarjes mes shqiptarëve dhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm në çdo fushë.

Ngjarja përfundoi me një foto të përbashkët, si një kujtim i një mbrëmjeje të mbushur me reflektime të rëndësishme dhe vendosmëri për të ecur përpara si një komb i bashkuar dhe i fortë.

Takime të tilla janë të domosdoshme për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve në diasporë dhe për të gjetur rrugë të reja për të kontribuar në zhvillimin e atdheut. Roli i mërgatës shqiptare ka qenë historikisht i pazëvendësueshëm dhe vijon të mbetet një shtyllë e rëndësishme për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor të trojeve shqiptare. U ndane edhe mirenjohje per diplomatet te tre shteteve.

Siç u theksua gjatë kësaj mbrëmjeje, shqiptarët janë dhe do të mbeten të bashkuar për një të ardhme më të ndritur dhe më të begatë për brezat që do të vijnë.

Si një mbrëmje e veçantë mes miqsh dhe vlerash të përbashkëta, e ka përshkruar këtë aktivitet dhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Z. Rexhep Demiri. „Sonte pata nderin dhe kënaqësinë të marr pjesë në një iftar të veçantë, organizuar nga z. Vigan Berisha dhe z. Ekrem Hasani, në ambientin mikpritës të mikut tonë Da Paulo në Schliren.

Ky tubim i ngrohtë dhe vëllazëror mblodhi bashkë personalitete të shquara nga fusha të ndryshme, të cilët me përkushtimin dhe kontributin e tyre i japin vlerë komunitetit tonë. Ndër të pranishmit, pata kënaqësinë të takohem me filantropin e njohur Lazim Destani, sekretarin e parë të Ambasadës së Shqipërisë z. Valon Gashi, përfaqësuesin e Ambasadës së Kosovës z. Gjenis Haxhimehmeti, Dr. Dashnim Hebibi nga mediumi SAM24.INFO dhe Helveticalforum, Dr. Bashkim Aliu, Hfz. Mehas Alija – kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar, Dr. Besim Nuzi, Halil Avdulli, Florim Useini – kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare, Dr. Ylber Qusaj, z. Visar Robelli – kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare, z. Meti Krasniqi – kryetar i Rrjetit të Miqësisë, Afrim Mehmeti, Rexhep Berisha, si dhe shumë personalitete të tjera të nderuara.

Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë e përzemërt dhe frymëzuese, ku bisedat e hapura dhe të sinqerta na mundësuan të ndajmë ide, përvoja dhe vizione për të ardhmen. Takime të tilla, përveç aspektit shpirtëror dhe tradicional, përfaqësojnë një urë të fortë lidhëse mes nesh, duke na rikujtuar se sa e rëndësishme është të gjejmë kohë për njëri-tjetrin.

Shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për organizatorët dhe të gjithë të pranishmit në këtë mbrëmje të paharrueshme, ku miqësia, bashkëpunimi dhe vlerat tona të përbashkëta u manifestuan me zemër dhe sinqeritet“, shkruan ai në profilin e tij zyrtar në rrejete sociale.

Related Posts