*Nga Granit SOKOLAJ
Rasti i bërë publik ditën e shtunë për fëmijë të prekur me Salmonelë Enteritidis në një kopësht në qytetin e Gramshit, ngre dyshime të forta për sistemin e menaxhimit të alert-eve apo krizave në shëndetësor dhe atë të sigurisë ushqimore në Shqipëri, si dhe për bashkëpunimin mes Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, konkretisht rasti në Gramsh dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Kjo çon dhe në pamundësi apo në vështirësi për identifikimin e burimit të salmonelës, i cili është problem kryesor dhe jo prekja e një apo disa fëmijëve, megjithëse edhe kjo është shqetësuese.
Duke qenë se në terma kohor, informacionet nga institucionet publike, konkretisht institucionet shëndetësore dhe AKU, e aq më pak Bashkia Gramsh, i cili është autoriteti që ka në varësi çerdhet dhe kopshtet publike, janë të varfra në data, dëshmitë e prindërve në media mbeten për t’u besuar.
Së pari, sipas dëshmisë së prindërve të fëmijës së vetëm të shtruar në spital, shqetësimet i kanë nisur të premten e javës së kaluar, pra më 16 maj. Këto shqetësime kanë qenë prezente dhe të hënë e të martë e kësaj jave. Në këto kushte, fëmija është dërguar në spital dhe ekzaminuar dhe të enjten, 22 maj, stafi i Kopshtit Nr.1 në Gramsh ka lajmëruar prindrit e fëmijëve që t’i marrin për shkak të një rasti, pra të një fëmije të ekzaminuar me salmonelë. Duket se, në këto kushte, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Gramsh ka analizuar dhe fëmijët tjerë dhe stafin e kopshtit. “Në kuadër të hetimit epidemiologjik janë marrë gjithsej 76 mostra nga fëmijët dhe punonjësit, dhe janë në proces analizimi. Rezultatet e analizave nuk kanë dale ende përfundimtare dhe priten të jenë të disponueshme ditën e nesërme, më 25 maj 2025”, thuhet në një njoftim publik të Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Në fakt, ka rezultuar se edhe pse pa simptoma apo me probleme të lehta shëndetësore, kanë rezultuar pozitivë edhe disa fëmijë të tjerë.
Ndërkaq, AKU ka njoftuar se janë marrë mostra nga ushqimet dhe janë dërguar për analiza në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV). Në këtë institucion, mostrat janë dërguar të shtunën në mbrëmje dhe rezultatet e analizave nuk kanë dalë ende.
Por, pyetja kryesore është: Cili është burimi i salmonelës?
Të jetë nga ushqimi, duket paksa e vështirë, për shkak se supa apo ushqimet tjera të gatuara, kalojnë në 100 gradë dhe salmonella do të zhdukej. AKU dërgoi në ISUV mostra ushqimesh për analizë. Por, të cilave ushqime? Rasti i fëmijës që ka shfaqur shqetësime shënon datën 16 maj. Por, nëse ka pasur probleme te fëmijët tjerë, të hënën, marten apo merkurën, cili ushqim u mor për analizë? Të shtunën kopshtet janë pushim, dhe nëse është marrë ushqimi i të premtes, edhe pse s’ka asnjë lidhje kohore me të prekurit, si është ruajtur ai 24 orë? Gjithësesi, edhe ai nuk ka asnjë lidhje me kontaminimet e mëparshme. Atëherë, çdo të tregojnë analizat?
Dyshime të tjera hidhen dhe mbi kohën kur është lajmëruar AKU nga Operatori i Kujdesit Shëndetësor në Gramsh? Nëse analiza e fëmijës së parë është konfirmuar të merkuren apo enjten, përse AKU u njoftua të shtunën? Fundja, pse jo të premten ose në kohë reale kur ka dalë përgjigjia e fëmijës? Kjo do të bënte që më e pakta, mostrat e ushqimeve të ishin të një periudhe më të afërt.
Deklarime nga Gramshi thonë që ka pasur ndërhyrje të forta nga Bashkia Gramsh dhe kompania që ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime të kopshteve dhe çerdheve të Gramshit, “Nelsa shpk” që situata të mos bëhej publike e të mbyllej brenda sistemit shëndetësor. Por, kjo është vetëm në kuadër thashethemesh. Gjithësesi, lindin pyetjet: Përse AKU u njoftua me vonesë? Nëse jo, përse u morën mostrat e ushqimeve dhe u dërguan në ISUV të shtunën pasdite? Nëse nuk do të reagonin prindrit e fëmijëve, a do të bëhej situate publike?
Diskutimet do të jenë të shumta e të ndryshme, deri sa të gjendet burimi i salmonelës, i cili mund të jetë nga kushtet higjeno-sanitare në kopështin në fjalë, nga ushqimet e gatuara të ndenjura gjatë apo të shërbyera edhe një ditë pasi janë gatuar; nga uji i pijshëm i Ujësjellësit Gramsh apo edhe nga stafi i kopshtit, i cili mund të jetë vetë ai që e ka përhapur salmonelën nëpërmjet kontaminimeve të kryqëzuara. Stafi i kuzhinës apo edhe personeli mësimëdhënës mund të kenë qenë të prekur nga salmonella, por pa shfaqur simptoma dhe për këtë sigurisht nuk kanë qenë në dijeni.
Pra, së pari duhet gjetur burimi i salmonelës dhe së dyti, duhet një hetim administrativ i thelluar në institucionet e lartpërmendura për mënyrën dhe kohën e reagimit. Ushqimet e dërguara për analizë në ISUV nuk do të ndjerrin shkakun, pasi ai është i të premtes 2 ditë para dhe jo 10 ditë para. E nga kjo të nxirren mësime. Mbi të gjitha, kontrolli i kushteve higjeno-sanitare dhe sigurisë ushqimore në institucionet publike si çerdhe, kopshte apo konvikte t’i kthehen si kompetencë dhe detyrë ligjorë Institutit të Shëndetit Publik, siç ka qenë disa vite më parë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mund dhe duhet të kontrollojë vetëm magazinat ku grumbullohen produktet ushqimore nga kompanitë furnitore; kushtet, dokumentacioni, raport-analizat etj. Kjo do të bënte që të mos kishim situatën e sotme, ku fëmijët janë shëruar pas kontaminimit e ndodhen në shtëpi, ndërsa ende nuk dihet se nga erdhi salmonella e nuk ka as mostra që t’ju kenë dalë rezultatet.
*Qendra ALERT


