Gjatë këtyre ditëve, prodhues të frutave, anëtarë të shoqatave të frutave, si dhe përfaqësues të institucioneve publike si Agjencia Rajonale Ekstensionit Bujqësor (AREB) dhe Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) nga Republika e Shqipërisë ndodhen në Republikën e Moldavisë për të shkëmbyer eksperienca me prodhues vendas dhe për të marrë pjesë në evente të ndryshme si Dita e Frutave, organizuar nga prodhuesit moldavë të frutave.
Prodhuesit shqiptarë të frutave shprehen se panairet bujqësore në Moldavi arrijnë të mbledhin shumë më tepër prodhues dhe kompani, dhe mënyra në të cilën punojnë shoqatat është për t’u vlerësuar. “Në Shqipëri ka panaire dhe evente të ndryshme lidhur me sektorin e bujqësisë, por nuk kanë këto përmasa. Ato janë më të vogla dhe kryesisht të organizuara nga fermerë. Duke qenë këtu, ne duam të përfitojmë nga kjo përvojë dhe të organizojmë diçka të ngjashme me fermerët dhe kompanitë shqiptare, apo projekte që do të donin të përfshiheshin në mbështetjen e ngjarjeve të tilla. Na pëlqen vërtet bashkëpunimi i fermerëve moldavë dhe arritjet e tyre”, tha për Agrobiznes Andi Hoxha, fermer dhe menaxher i një kompanie të inputeve bujqësore në Shqipëri.
Për më tepër, Andi Hoxha si dhe vizitorë të tjerë nga Shqipëria, komunikuan që prodhuesit vendas, të cilët kanë investuar në teknologji moderne, kanë disa nga pemëtoret me performancën më të mirë në rajon dhe më gjerë.
“Ne tashmë kemi arritur të vizitojmë 3 prodhues nga Moldavia të cilët po zbatojnë teknologji moderne dhe na bëri përshtypje mënyra se si janë zhvilluar. Ata kanë zona mjaft të mëdha nën menaxhim, më shumë se një mijë hektarë. Fermerët tanë janë më modestë në këtë drejtim “.
Pjesëmarrësit nga Shqipëria i kanë vendosur vetes katër objektiva për të arritur gjatë vizitës së tyre:
Të identifikojnë partnerët ose kompanitë e mundshme partnere për shkëmbim të përvojës;
Të kuptojnë se si sektori privat arrin të organizojë ditë në terren, të cilat janë mjaft të rëndësishme;
Të mësojnë për teknologjitë që lejojnë fermerët moldavë të mbajnë mollët më gjatë në dhoma ftohëse dhe si t’i trajtojnë qershitë në mënyrë që t’i eksportojnë ato jashtë vendit pa humbje;
Të shqyrtojnë teknologjitë moderne të kopshtarisë.
Sot, të ftuarit vizituan veprimtarinë e Ditës së Frutave për të rimarrë përvojën dhe për ta zbatuar atë vitin e ardhshëm në Shqipëri.
Kjo vizitë studimore u organizua me mbështetjen e GIZ, zbatues i projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural”.
Artikull i përkthyer nga SRD nga portali https://agrobiznes.md/
Qendra Alert – Alert.al


