Në një vend ku shërbimet për personat me aftësi të kufizuara janë shpesh të pakta dhe të vështira për t’u gjetur, një projekt i ri ka hapur një dritare shprese. Projekti për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara përmes ekonomisë qarkulluese, iu vjen në ndihmë përmes riparimit falas të karrigeve me rrota, si dhe pajisjeve të tjera ndihmëse. Përmes kësaj iniciative do të përfitojnë 50 persona me aftësi të kufizuara në të gjithë Shqipërinë, përmes një shërbimi levizës të një mekaniku dhe një asistenti që do ta bëjë këtë punë, duke zgjatur jetëgjatësinë e këtyre pajisjeve. Kristiana Lee është asistente e projektit dhe vetëpërdoruese e karriges me rrota, e cila është bërë zëri dhe ndihmesa e parë për çdo përfitues.
“Përfshirja ime në këtë projekt ka qenë nga dëshira ime për t’u aktivizuar dhe kontribuar në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, ku edhe unë bëj pjesë prej shumë vitesh. Është një projekt i veçantë dhe i domosdoshëm për ne që përdorim karrige me rrota, pasi kemi një mungesë të theksuar të një shërbimi të tillë”-rrëfen Kristiana.
Si asistente, ajo është hallka e parë e komunikimit me përfituesit. “Jap informacionin që ata kërkojnë, marr të dhënat që duhen për të ofruar shërbimin sa më shpejt dhe më pas i lidh me ekipin e riparimit që merret me ndërhyrjet teknike.”
Kristiana tregon se interesimi ka qenë i lartë, ku shumë persona e kanë kontaktuar nga qytete të ndryshme. “Kur marrin vesh se është falas, ndihen të çliruar. Më në fund do marrin një shërbim që ndoshta s’e kanë pasur kurrë, ose e kanë pasur shumë rrallë dhe me cilësi jo të mirë.”
Projekti nuk ka vetëm një ndikim praktik, por edhe social dhe mjedisor.
“Ky shërbim lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e cilësisë së jetës, por edhe me ekonominë qarkulluese. Me hyrjen në përdorim të karrigeve elektrike dhe motorave për persona me aftësi të kufizuara nuk është menduar se çfarë ndodh me bateritë që mbeten pas. Kjo nismë ndihmon edhe në menaxhimin e këtij problem”-shpjegon ajo.
Për Kristianën, pjesëmarrja në këtë projekt ka qenë një përvojë që i ka hapur sytë për nevojat e shumta që ende mbeten të paplotësuara. “Kam kuptuar se nuk jam e vetmja që nuk ka ditur ku të drejtohet kur karrigia dëmtohet. Puna ime është një ndihmë sado e vogël, por e rëndësishme për komunitetin tim. Dua të bëj më të mirën për ta sepse e di çfarë do të thotë të jesh në të njëjtat këpucë.”
Nisma për riparimin e karrigeve me rrota është një shembull konkret i përfshirjes dhe solidaritetit, ku vetë personat me aftësi të kufizuara janë bërë pjesë aktive e zgjidhjes. Në një shoqëri ku barrierat fizike dhe institucionale ende ekzistojnë, kjo nismë dëshmon se ndryshimi fillon nga vetë komuniteti, me njerëz si Kristiana, që përmes përkushtimit të tyre, po e bëjnë jetën e shumë të tjerëve më të lëvizshme.


