Menu

Shqipëria rrit shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit

Tregtia e mallrave në rajon është përmirësuar. Në 10-mujorin e vitit 2022, Shqipëria realizoi 10% të tregtisë totale me 5 vendet e rajonit, nga 6.5% në vitin 2010. Që nga viti 2018 deri në tetor të vitit 2022, Shqipëria ka kaluar në suficit tregtar, përveç Serbisë. Eksportet shqiptare kanë përparësi më shumë se importet në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, por në Serbi që është partneri i dytë më i madh tregtar pas Kosovës, deficiti tregtar u zgjerua më tej gjatë këtij viti. Bizneset pohojnë se procedurat nuk janë lehtësuar shumë, por Shqipëria rrezikon konkurrueshmërinë në afat të gjatë, nëse nuk mbështet bujqësinë

Zarzavatet shqiptare janë produkte popullore në tregjet e Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ashtu siç është mielli serb, produkt i konsumit masiv në vendin tonë.

Gjatë viteve të fundit, volumet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Malit të Zi) janë rritur ndjeshëm, jo më shumë nga lehtësimi i procedurave tregtare, se sa nga nisma private e bizneseve që kanë vlerësuar me leverdi tregtinë afër kufijve, për produkte që më parë i faturonin në vende më të largëta.

Të dhënat zyrtare mbi tregtinë e jashtme tregojnë se gjatë 10- mujorit 2022, Shqipëria realizoi 10% të tregtisë me vendet e rajonit nga 6.5% në vitin 2010.

Kosova është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë në rajon, me të cilën u realizua 35% e volumit tregtar. Partneri i dytë tregtar më i rëndësishëm është Serbia, me të cilën kemi 31% të volumit tregtar rajonal, më tej Maqedonia e Veriut, me 21%, Mali i Zi, me 8% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 4%.

Tregtia me rajonin, Shqipëria suficitare

Që nga viti 2018 e deri në vitin 2022, Shqipëria ka një suficit tregtar sistematik me rajonin. Kjo do të thotë se vlera e mallrave të eksportuara në rajon është më e lartë se vlera e importeve.

Në 10-mujorin 2022, Shqipëria eksportoi 60,6 miliardë lekë (513 mln euro) mallra në vendet e rajonit dhe importoi për të njëjtën periudhë 65 miliardë lekë (551 mln euro). Eksportet ishin 4,3 miliardë lekë (37 mln euro) më të larta se importet. Si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, vlera e importeve nga rajoni në Shqipëri u rrit me 23% në 10-mujorin, ndërsa eksportet u rritën vetëm me 12.7%.

Ritmet më të ulëta të eksporteve u ndikuan nga rënia e eksportit të hekurit dhe materialeve të ndërtimit në Kosovë. Tani bizneset e Kosovës furnizohen drejtpërdrejt në Portin e Durrësit pas funksionimit të doganës së posaçme. Disa mallra si hekuri, çimento etj., importohen me kosto më të lirë se sa nga fabrikat shqiptare. Këtë vit, importet nga rajoni në vlerë janë rritur nga disa produkte ushqimore, si mishi, kafshët e gjalla, bulmeti dhe vezët etj.

Që kur vendi hapi tregtinë me jashtë në vitet 1990, shkëmbimet me vendet e Ballkanit Perëndimor ishin shumë të ulëta dhe mbeten peng i luftërave dhe konflikteve ndëretnike, ndonëse afërsia gjeografike ishte në favor. Deri në vitin 2017, Shqipëria ishte deficitare sistematikisht me rajonin.

Pas vitit 2018, situata ndryshoi pasi eksportet shqiptare në rajon ishin më të larta se importet. Kjo vjen për shkak të eksporteve më të larta në Kosovë, të nxitura nga ndërtimi i Rrugës së Kombit, e cila e rriti ndjeshëm tregtinë. Vlera më e lartë e suficitit tregtar ishte në 10-mujorin e vitit 2021, kur eksportet tona në rajon ishin 25%, ose 10 miliardë lekë më të larta se importet.

Me gjithë rritjen e eksporteve, deficiti tregtar me Serbinë zgjerohet në vitin 2022

Përmirësimi i marrëdhënieve Shqipëri – Serbi në rrafshin politik, së fundmi edhe me Nismën Bashkëpunimi Rajonal, ka rritur ndjeshëm tregtinë ndërmjet dy vendeve.

Sipas të dhënave të INSTAT, në janar – tetor 2022, tregtia në vlerë me Serbinë është rritur me 153% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Në 10-mujorin e vitit 2022, importet e mallrave në vlerë ishin 28 miliardë lekë, me rritje 25% nga viti i kaluar, ndërsa eksportet tona në Serbi shënuan 11,2 miliardë lekë, me zgjerim 23%. Deficiti tregtar rezultoi 16,5 miliardë lekë, me zgjerim 32% në raport me vitin e kaluar.

Tregtia në vlerë ka shënuar rritje, si rrjedhojë e çmimeve më të larta të mallrave, por shkëmbimet në volume kanë pësuar rënie.

Gjatë 10-mujorit 2022, shkëmbimi i mallrave në sasi shënoi rënie me 15%. Rënien më të madhe e patën eksportet shqiptare në Serbi me rreth 18.4%, ndërsa importet nga Serbia shënuan rënie 12.7%. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts