Në emisionin “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, mbrojtja e konsumatorit u trajtua si një temë qendrore, duke sjellë në fokus projektin “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit” dhe funksionimin e numrit falas 0800 26 26. Qendra Alert, që prej 12 shkurtit, trajton rastet e denoncuara nga qytetarët përmes kësaj linje, duke u shndërruar në një mekanizëm të rëndësishëm raportimi, orientimi dhe ndërmjetësimi midis qytetarëve dhe institucioneve.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë, Rudina Lula, Drejtore Ekzekutive e Qendrës për Ekselencë “Destiny”, e cilësoi mbrojtjen e konsumatorit si një të drejtë themelore, në të njëjtin nivel me të drejtat bazë të njeriut. Ajo theksoi se termi “konsumator” përfshin jo vetëm produktet ushqimore, por edhe ato jo ushqimore, të cilat lidhen drejtpërdrejt me përditshmërinë e qytetarëve.
Sipas Lulës, çdo konsumator ka të drejtën të informohet saktë për produktet që blen, të ketë akses në informacion të besueshëm dhe të jetë i mbrojtur nga mashtrimet tregtare, abuzimet me cilësinë apo shkeljet e standardeve. Informimi, tha ajo, është themelor për të garantuar një konsum të sigurt dhe të përgjegjshëm.
Në studio u ndal edhe roli i organizatave të shoqërisë civile. Klajdi Tozaj, Koordinator Projekti në Qendrën Alert, theksoi se Alert është një organizatë jo fitimprurëse dhe nuk ka të njëjtat kompetenca ligjore si institucionet shtetërore. Ai sqaroi se shumë qytetarë hasin vështirësi për të artikuluar saktë shqetësimet e tyre ose për të ndjekur procedurat formale të ankesave, gjë që e vështirëson adresimin efektiv të problematikave në terren. Pikërisht për këtë arsye, linja 0800 26 26 shërben si një linj orientimi dhe ndihme për konsumatorët.
Projekti “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga EMA në bashkëpunim me Qendrën Alert, u prezantua nga Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti në EMA. Ajo theksoi se linja 0800 26 26 është një komponent kyç i projektit dhe bazohet në legjislacionin ekzistues. Sipas saj, neni 48 i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit përcakton detyrimin e institucioneve për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve, ndërsa neni 59 liston organet përgjegjëse, duke përfshirë edhe shoqatat e konsumatorëve.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e projektit janë tryezat dhe trajnimet e zhvilluara në 12 qytete të vendit, .Qëllimi i tyre është rritja e kapaciteteve të organizatave lokale të shoqërisë civile dhe forcimi i rolit të tyre në trajtimin e çështjeve që lidhen me konsumatorët. Trajnimet janë fokusuar në të drejtat e konsumatorëve, sigurinë ushqimore, procedurat e ankesave, standardet e informimit dhe detyrimet ligjore të institucioneve dhe bizneseve. Gjatë tyre është theksuar domosdoshmëria e bashkëpunimit ndërinstitucional për të shmangur që rastet e qytetarëve të humbasin në procedura burokratike.
Në këtë kontekst, Linja e Gjelbër 0800 26 26 ka luajtur një rol të rëndësishëm që prej 12 shkurtit, duke u ofruar qytetarëve një kanal falas dhe të besueshëm ku mund të raportojnë shkelje, abuzime dhe problematika që lidhen me të drejtat e tyre. Rastet e raportuara orientohen drejt institucioneve kompetente dhe ndiqen në mënyrë të strukturuar nga Qendra Alert, duke e bërë linjën një hallkë funksionale në sistemin e mbrojtjes së konsumatorit.
Në thelb, projekti synon jo vetëm adresimin e rasteve të individëve, por edhe forcimin e politikëbërjes, ndërtimin e një rrjeti kombëtar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbështetjen e proceseve të integrimit europian. Qëllimi është që konsumatori shqiptar të ketë mjete konkrete , ligjore, institucionale dhe praktike , për të mbrojtur të drejtat e tij.
Mesazhi i përgjithshëm nga diskutimi në “Alert” është i qartë: mbrojtja e konsumatorit është një e drejtë themelore dhe kërkon koordinim të plotë ndërmjet informacionit të saktë, veprimit institucional dhe ndërmjetësimit të shoqërisë civile. Linja e Gjelbër 0800 26 26, aktive që prej 12 shkurtit, është shndërruar në një mekanizëm të qëndrueshëm në këtë zinxhir, duke forcuar kulturën e mbrojtjes së konsumatorit në Shqipëri.


