Komisioni Evropian publikoi të merkurën, 30 tetor, raportin e vitit 2024 për Shqipërinë, ku përfshihet dhe Kapitulli 12, “Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare”. Në dukje i faqosur (dizenjuar) pak më ndryshe ky raport, porn ë përmbajtje, thuajse njësoj se ai I një viti më parë. Kjo do të thotë, që Shqipëria nuk ka bërë progres, ose ka bërë shumë pak në raport me sigurinë ushqimore. Sipas raportit, “Shqipëria ka një nivel përgatitjeje politikash në fushën e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare. Por, nuk është bërë progres gjatë periudhës raportuese. Nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të harmonizuar legjislacionin me ‘acquis’ të BE-së dhe t’a zbatojë atë. Shqipëria duhet të miratojë dhe zbatojë politikën kombëtare sektoriale të sigurisë ushqimore”. Siç evidenton raporti i Komisionit Evropian, “rekomandimet e KE nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme”.
“Shqipëria duhet të punojë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me ‘acquis’ të BE-së, veçanërisht për shëndetin e kafshëve dhe të buimëve, për kontrollet zyrtare, mirëqenien e kafshëve dhe me Rregulloret për Ligjin e Përgjithshëm të Ushqimit; Duhet të finalizojë plotësimin e personelit të shërbimit veterinar për të siguruar funksionimin e tij si dhe të forcojë kapacitetet për zbatimin e programeve të mbikëqyrjes dhe vaksinimit të kryesore sëmundjet infektive të kafshëve, duke përfshirë tërbimin”, janë detyrat e “shtëpisë” për Shqipërinë në lidhje më Kapitullin 12.
Sipas Raportit, “për sigurinë e përgjithshme ushqimore, kuadri ligjor ende nuk është në përputhje me Ligjin e Përgjithshëm të Ushqimit të BE. Kuadri ligjor për kontrollet zyrtare nuk është në përputhje me Rregulloret e KE-së. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka rivitalizuar sistemin AKU-net (databaza e të dhënave të operatorit të biznesit ushqimor) mbi statistikat e inspektimit, menaxhimin e të dhënave dhe transparencën, por ende nevojitet punë e rëndësishme për të reduktuar barrën administrative për planifikimin dhe raportimin e kontrolleve zyrtare mbi bazë risku. Parimi i transparencës duhet të zbatohet për sistemet zyrtare të kontrollit në përputhje me OCR. Shqipëria nuk ka një plan kombëtar shumëvjeçar të kontrollit në vend”, thotë raporti në lidhje me sigurinë ushqimore dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit e gjithashti Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.


