Gjatë një takimi me njerëz të zakonshëm rusë, një grua iu ankua Presidentit Vladimir Putin për çmimet e larta të ushqimeve.
Valentina Sleptsova sfidoi presidentin duke e pyetur se përse bananet nga Ekuadori tani ishin më të lira në Rusi sesa karotat e prodhuara në vend si dhe pyeti se si nëna e saj mund të mbijetonte me një pension të vogël ndërkohë që kosto e perimeve ishte kaq e lartë.
Putini pranoi se kostot e larta të ushqimit ishin një problem, përfshirë këtu edhe shportën bazë të perimeve, duke fajësuar rritjen globale të çmimeve dhe mungesat e brendshme. Por ai tha se qeveria ruse kishte ndërmarrë hapa për të adresuar çështjen dhe se masat e tjera po diskutoheshin, pa dhënë shumë hollësi të tjera.
Rritjet e mëdha të çmimeve të konsumit po shqetësojnë disa votues rusë, veçanërisht të moshuarit, me pensione të vogla, të cilët nuk dëshirojnë të shohin një kthim në vitet 1990 kur inflacioni i madh solli edhe mungesa në ushqime.
Kjo e ka shtyrë Putinin të nxisë qeverinë të ndërmarrë hapa për të trajtuar inflacionin. Hapat e qeverisë kanë përfshirë një taksë mbi eksportet e grurit, e cila u prezantua muajin e kaluar mbi një bazë të përhershme, dhe kufirin e çmimit të shitjes me pakicë në ushqimet e tjera bazë.
Por duke vepruar kështu, presidenti përballet me një zgjedhje të vështirë: në përpjekjen për të hequr pakënaqësinë midis votuesve me çmime në rritje, ai rrezikon të dëmtojë sektorin bujqësor të Rusisë, me fermerët e vendit që ankohen se taksat e reja po i dekurajojnë ata të bëjnë investime afatgjata.
Lëvizjet nga Rusia, si eksportuesi më i madh në botë i grurit, gjithashtu kanë ushqyer inflacionin në vendet e tjera duke rritur koston e grurit. Një rritje në taksën e eksportit, ashtu siç ndodhi në mes të janarit të vitit 2021, për shembull, rriti çmimet globale në nivelet e tyre më të larta në shtatë vitet e fundit.
Burimi: Reuters
Qendra Alert
alert.al/


