Menu

Situatë e pasigurt dhe shqetësuese në Veri të Kosovës

Qytetarët në pjesën veriore të Kosovës kanë nisur të përballen me mungesa medikamentesh, furnizimesh të përditshme e parash në bankomate.

Për më tepër, janë të shqetësuar edhe për situatën e sigurisë, e cila, siç thonë mund të përshkallëzojë në përleshje të armatosura.

Në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, grupe qytetarësh kanë bllokuar rrugët kryesore qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës. Barrikadat janë ngritur në rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, e që shpesh shfrytëzohen nga banorët e asaj ane për furnizime dhe vizita, qoftë mjekësore apo të tjera. Sulmet, për të cilat akuzohet Pantiç, kanë ndodhur derisa KQZ-ja po përgatitej për zgjedhjet lokale në veri, fillimisht të parapara për 18 dhjetor, por që më pas janë shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm. Komunat në veri kanë mbetur pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, pasi ata kanë dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe. Dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë nga veriu. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE dhe SHBA është inkuadruar në kërkimin e një zgjidhjeje paqësore.

Qendra Alert/Alert.al

 

Related Posts