Menu

Dritan Leli

Përplasja Rama Leli, këshilltarët nuk shkojnë në mbledhje, kryebashkiaku: Nuk u miratua as ndihma ekonomike

Këshilltarët bashkiak kanë anuluar mbledhjen e sotme. Njoftimin e bën kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli përmes një postimi në Facebook.

Sipas Lelit, mbledhja e sotme ishte për interesat e qytetit.

Leli: “Pas radhës së gjatë të kërkesave për mbledhje jashtë radhe, në emër të së mirës së qytetit, sot, këshilltarët bashkiak, kanë anulluar mbledhjen e radhës, atë të çdo muaji, ku vërtet mblidhemi për interesat e qytetit e ku përgjatë më shumë se një viti, kemi diskutuar online, siç ishte parashikuar të ndodhte edhe sot! “

Leli thotë se Këshilli Bashkiak “me këngën e kusureve të tij, nuk po përkrah sot fëmijët me probleme sociale, nuk po miraton ndihmën ekonomike, rimëkëmbjen e zonës dhe projekte të tjera.

Leli: “Më vjen keq që me këngën e kusureve të mia, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit, që me miratimin e vendimit do të frekuentonin kopshtet dhe çerdhet me të ardhurat e bashkisë, nuk po miraton as ndihmën ekonomike, as listën e familjeve apo individëve që përfitojnë kredi nga të ardhurat e bashkisë dhe as po mbështet projektin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e zonës përreth sahatit, që ka nevojë për angazhimin e të gjithëve, prandaj edhe do të përfshihej sot me urgjencë, për të mos ecur me ritmin e mbajtjes së radhëve! “

Leli thotë se e pranon haraçin e veprimeve të tyre deri në masën që e prek kryebashkiakun, por jo qytetin.

Leli: “Të nderuar këshilltar, e pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin! Vlora sapo ka nisur sezonin turistik, pas muajsh të gjatë e të vështirë lufte me shëndetin! Turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale! Vlora duhet promovuar, jo sakatuar! Të gjithë mund të bëjmë më shumë, mund të bëjmë më mirë, pa shterpëzuar një energji të tërë që mund ta shfrytëzonim në dobi të Vlorës! Po e marrë unë barrën e ndjesës, ndaj të gjithë banorëve të Vlorës që po penalizohen a qoftë edhe vetëm bezdisen, nga radhët tona të ngatërruara që po iu rëndojnë, por e di që deti dhe dielli i Vlorës do ta bëjnë këtë verë të ndritshme, siç kaq gjatë e dëshiruam.”

Kujtojmë se Dritan Leli është përplasur me PS-në e Vlorë dhe kryeministrin Rama pasi refuzoi të kandidojë për deputet.

Lidhur me këtë mbledhje anëtarët e këshillit bashkiak kërkuian të zhvillohej në Teatrine qytetit “Petro Marko”, por kryebashkiaku vendosi që mbledhja të zhvillohej online në respect të masave anti-covid që janë në fuqi.

Kujtojmë

Përplasja/ Duan t'i bëjnë "gjyqin" para Ramës, Dritan Leli u mbyll sallën e teatrit këshilltarëve, takohemi në "zoom"

Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës, kërkuan në fillim të këtij muaji që të kenë një takim me kryebashkiakun Dritan Leli, dhe të pranishëm të jenë deputetët e qarkut, mes tyre dhe kryeministri Edi Rama.

Shqetësimi i strukturave të PS në Vlorë, është ngritur pas përplasjes së Dritan Lelit me Edi Ramën. Sipas tyre, kjo u shkaktoi atyre humbje të një pjese të votave në 25 prill. Për këtë, ata donin t’i bënin ballafaqim para gjithë deputetëve dhe vetë Ramës.

Në përgjigjen e kryebashkiakut të Vlorës nuk fshihet sarkazma.

Leli i kthen përgjigje Këshillit të Bashkisë dhe i njofton se mbledhja duhet të zhvillohet online siç janë bërë gjatë gjithë kohës, pasi grumbullimet janë të ndaluara me ligj. Në urdhrin e firmosur nga kryebashkiaku i Vlorës, thuhet se ambientet e Teatrit “Petro Marko” nuk do të përdoren për këtë takim.

“Lidhur me mbledhjen e ditës së sotshme kërkuar nga një grup këshilltarësh bashkiak, më poshtë do të gjeni të gjithë komunikimin zyrtar që kam zhvilluar me Këshillin Bashkiak, për mbledhjen e kërkuar prej tyre për t’u zhvilluar në teatrin Petro Marko.

Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, shkruan Dritan Leli dhe ndan fotot e mëposhtme.