Menu

kakavijë

Radhë kilometrike makinash në Kakavijë, pala greke ka shumë pak sportele

Pala greke në Kakavije po krijon konfuzion tek shqiptarët të cilët udhëtojnë pas 15 muajve drejt Greqisë.

Në orët e mesditës së sotme, me qindra qytetarë shqiptarë janë dyndur në sportelet e Pikës Kufitare Greke të Kakavijes për të kaluar drejt shtetin fqinj të pajisur me PLF, me PCR test apo dhe me certifikatë digjitale antipandemike.

Radhë kilometrike janë krijuar dhe ende po shtohen për shkak të mungesës së sporteleve në dispozicion nga ana e palës greke e cila ndonëse punon me ritme të ulëta, po ushtron kontroll të rreptë tek qytetarët në bazë të protokolleve antipandemike.

Për shkak të radhëve dhe dyndjes në palën greke, drejtuesit e Policië Shqiptare të Kakavijes, kanë kërkuar shpjegime nga homologët grekë për konfuzionin e krijuar dhe për rrjedhojë fqinjët kanë shtuar edhe një sportel për të disiplinuar lëvizjet në hyrje të Greqisë.

Sipas Policisë Greke, dyndja veçanërisht ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së sporteleve deri në mesditë çka ishin vetëm dy aktive, prej orës 11:30 minuta është shtuar edhe një sportel duke çliruar sadopak situatën. Deri në këto momente kanë kaluar në drejtim të Greqisë 832 persona ndërkohë që limiti ditor është 1500.

RTV Ora

Heroinë e paketuar, zbulohen 15 kg drogë në një kamion në Kakavijë (video)

Një shofer kamioni nga Elbasani u gjurmua dhe u kap sot në Kakavijë me 15 kg lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Operacioni i ishte një bashkëpunim me misionin policor evropian FRONTEX.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Bashkëpunimi mes Policisë Kufitare të Kakavijës, FRONTEX-it, Sektorit të Narkotikëve në DVP Gjirokastër dhe shërbimeve doganore çoi në sekuestrimin e 15 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë.

Policia Kufitare e Kakavijës ka shtuar kontrollet në dalje dhe në hyrje, për kamionët e transportit të mallrave, por edhe për automjetet me të cilat udhëtojnë qytetarët, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.

Bazuar në analizën e riskut të bërë nga Policia Kufitare dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e DVP Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, në dalje u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin SH. P.

Pas skanimit dhe kontrollit në vijën e dytë nga ana e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe me shërbimet e FRONTEX-it, u bë e mundur gjetja e lëndës narkotike që ishte fshehur në një vend të përshtatur në kroskotin e kamionit.

Gjatë kontrollit të detajuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 15 kilogramë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të kamionit, shtetasit Sh. P., 63 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.