Menu

policia

Vrasjet, reagon Presidenti Meta: “Po krijohet pasiguri publike, Policia të luftojë krimin!”

Presidenti Ilir Meta reagon ashpër pas ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura ditët e fundit në vend, që nga Vlora, Shkodra, e deri te vrasja e sotme në mes të Tiranës.

Kreu i Shtetit i bën thirrje Policisë së Shtetit “që të shkundet nga apatia dhe të përmbushë me rigorozitet të gjitha detyrimet e saj ligjore, duke luftuar krimin në çdo qelizë të shoqërisë dhe larguar prej saj çdo nëpunës të korruptuar dhe të lidhur me ‘botën e errët’”.

Gjithashtu, Meta iu bën thirrje edhe të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, në veçanti Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të vendosin një bashkëpunim më të gjerë, më dinamik dhe efiçient mes tyre.

Reagimi i Presidentit:

Ngjarjet shumë të rënda kriminale, me pasojë dhjetëra humbje jetësh dhe dëmtimin e shëndetit dhe të pronës së qytetarëve, që po ndodhin në mes të ditës, në ambientet publike, në zemër të qendrave urbane, deri edhe pranë institucioneve të larta të sigurisë, janë thellësisht tronditëse dhe një dëshmi e qartë jo vetëm e revanshit të krimit, por edhe e paaftësisë së Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, për parandalimin e tyre.

Në këtë situatë kaq shqetësuese, që ka krijuar një pasiguri të madhe publike, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, që në veçanti, ka për mision dhe përgjegjësi thelbësore ruajtjen e rendit dhe të sigurisë, garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, që të shkundet nga apatia dhe të përmbushë me rigorozitet të gjitha detyrimet e saj ligjore, duke luftuar krimin në çdo qelizë të shoqërisë dhe larguar prej saj çdo nëpunës të korruptuar dhe të lidhur me “botën e errët”.

Është tepër e domosdoshme, që të tilla vepra të rënda penale të parandalohen në kohë, të zbulohen, të hetohen dhe autorët e tyre të marrin ndëshkimin e merituar ligjor! Ndaj ju bëj thirrje të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, në veçanti Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të vendosin një bashkëpunim më të gjerë, më dinamik dhe efiçient mes tyre!

alert.al

Heroinë e paketuar, zbulohen 15 kg drogë në një kamion në Kakavijë (video)

Një shofer kamioni nga Elbasani u gjurmua dhe u kap sot në Kakavijë me 15 kg lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Operacioni i ishte një bashkëpunim me misionin policor evropian FRONTEX.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Bashkëpunimi mes Policisë Kufitare të Kakavijës, FRONTEX-it, Sektorit të Narkotikëve në DVP Gjirokastër dhe shërbimeve doganore çoi në sekuestrimin e 15 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë.

Policia Kufitare e Kakavijës ka shtuar kontrollet në dalje dhe në hyrje, për kamionët e transportit të mallrave, por edhe për automjetet me të cilat udhëtojnë qytetarët, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.

Bazuar në analizën e riskut të bërë nga Policia Kufitare dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e DVP Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, në dalje u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin SH. P.

Pas skanimit dhe kontrollit në vijën e dytë nga ana e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe me shërbimet e FRONTEX-it, u bë e mundur gjetja e lëndës narkotike që ishte fshehur në një vend të përshtatur në kroskotin e kamionit.

Gjatë kontrollit të detajuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 15 kilogramë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të kamionit, shtetasit Sh. P., 63 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.