Menu

Linja e Gjelbër 0800 26 26

Tozaj: Informimi përmes Linjës së Gjelbër sjell konsumatorë më të mbrojtur

Në emisionin “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua për “Linjën e Gjelbër”, një shërbim që funksionon prej më shumë se gjashtë muajsh dhe synon të ofrojë një pikë kontakti gjithëpërfshirëse për qytetarët në të gjithë Shqipërinë për çështjet e mbrojtjes së konsumatorit.

Klajdi Tozaj, Koordinatori i Projektit në Qendrën ALERT, shpjegoi se

“Linja e Gjelbër ka krijuar idenë që çdo individ, çdo qytetar, kudo në Republikën e Shqipërisë të ketë një linjë ku mund të marrë informacion dhe të adresojë çdo problematikë.

Deri dje, institucionet kishin linjat e tyre të veçanta, por kjo shpesh krijonte vështirësi për qytetarët. Linja e Gjelbër u mundëson konsumatorëve të gjejnë adresimin e problemeve në mënyrë të përqendruar dhe më të lehtë.”

Ai theksoi se problematika kryesore që janë identifikuar lidhen me mungesën e informacionit nga qytetarët dhe nga operatorë ekonomikë, të cilët shpesh nuk janë të informuar në lidhje me detyrimet ligjore ose shmangin përgjegjësitë e tyre.

“Tozaj theksoi se Qendra ALERT ofron asistencë dhe ndërmjetësim për të ndihmuar ndërgjegjësimin e të dy palëve, konsumatorit dhe operatorit ekonomik, duke synuar një bashkëpunim më të mirë për zgjidhjen e problemeve,” u shpreh ai.

Ai përfundoi duke nënvizuar se qëllimi i projektit është që të vazhdojë me angazhim për të informuar dhe mbrojtur konsumatorët, pasi “nëse kemi njerëz më të informuar, kemi konsumatorë më të mbrojtur dhe zgjidhje më efektive për problemet.”

Alert – Konsumatorët, ankesat dhe fuqëzimi i OSHC lokale (25 Korrik 2025) https://www.youtube.com/watch?v=nQniYdIBZ94

“Linja e Gjelbër” në Korçë dhe Shkodër/ Trajnime për forcimin e organizatave lokale në mbrojtjen e konsumatorit

Më 30 qershor dhe 3 korrik 2025, në qytetet e Korçës dhe Shkodrës u zhvilluan trajnime për rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra ALERT në partneritet me EMA.

Qëllimi është përfshirja aktive e OSHC-ve në politikëbërje, ndërtimi i një rrjeti kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetja e integrimit në BE. Në trajnime morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, të cilët diskutuan mbi legjislacionin në fuqi, detyrimet e institucioneve dhe biznesit, si dhe të drejtat themelore të konsumatorëve: siguria ushqimore, shëndeti, e drejta për informacion, ankesa dhe përfaqësim.

Lektoret Ersida Teliti dhe Klotilda Neziri theksuan nevojën për qasje praktike dhe për trajtim të rasteve konkrete si cilësia e shërbimeve telefonike, siguria ushqimore dhe farmaceutike. Organizatat pjesëmarrëse u angazhuan për t’u bashkuar me Rrjetin e OSHC-ve për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Këto aktivitete vijojnë pas trajnimeve të mbajtura më 10 qershor në Fier dhe më 14 maj në Tiranë, ku u lançua Linja e Gjelbër 0800 26 26  për raportimin e shkeljeve dhe u prezantua rrjeti kombëtar i OSHC-ve për konsumatorin.

Në tërësi, ky cikël trajnimesh po kontribuon në ndërtimin e një strukture të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri.

Për çdo shkelje apo problematikë, qytetarët mund të raportojnë falas. Mjafton të telefonojnë në numrin 0800 26 26  Linja e Gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit.

Linja e Gjelbër në shërbim të konsumatorëve

Më 14 maj, në ambientet e Europe House në Tiranë, u zhvillua trajnimi i parë për Mbrojtjen e Konsumatorit, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit”. Ky projekt po zbatohet edhe në gjashtë qytete të tjera të vendit nga Qendra ALERT.

Gjatë trajnimit u prezantua Linja e Gjelbër falas 0800 26 26, një mekanizëm për denoncimin e shkeljeve dhe zgjidhjen e problematikave që prekin të drejtat e konsumatorëve, i menaxhuar nga stafi i Qendrës ALERT.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte njoftimi për krijimin e Rrjetit të Organizatave të Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e Konsumatorit, me pjesëmarrjen e 20 organizatave nga e gjithë Shqipëria, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit dhe ndërhyrjeve në nivel lokal.

Trajnimi theksoi rëndësinë e tryezave të diskutimit dhe këshillimit në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian, me fokus të veçantë te Kapitulli 28 (Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit) dhe Kapitulli 12 (Siguria Ushqimore, Veterinare dhe Mbrojtja e Bimëve).

Ekspertët prezantuan zhvillimet më të fundit në fushën ligjore, përfshirë përafrimin me direktivat e BE-së, ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, mbrojtjen e konsumatorëve në përmbajtjen digjitale, shërbimet në distancë dhe kontratat me kushte të padrejta.

Në trajnim morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore dhe pushtetit vendor. U theksua roli i Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut dhe njësive vendore. U bë gjithashtu me dije se tashmë është ngritur një databazë me 124 përfaqësues nga 61 bashki, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë qytetarët në rast shkeljesh të të drejtave të tyre si konsumatorë.

Linja e Gjelbër 0800 26 26 mbetet një mjet i rëndësishëm në shërbim të qytetarëve për të raportuar shkeljet dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre si konsumatorë.