Në kuadër të 15 Marsit, Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorit, u zhvillua një aktivitet ku u diskutua mbi sfidat e konsumatorëve dhe rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Andrea Ferrero, Shef i Seksionit të Zhvillimit Ekonomik dhe Social në Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, i cili theksoi se harmonizimi i Shqipërisë me politikat dhe legjislacionin e Bashkimit Europian sjell përfitime konkrete për konsumatorët shqiptarë.
Sipas Ferreros, në Bashkimin Europian konsumatori konsiderohet një nga shtyllat kryesore të funksionimit të tregut të përbashkët, pasi tregjet mund të funksionojnë në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme vetëm kur qytetarët kanë besim te produktet dhe shërbimet që blejnë.
“Në Bashkimin Europian konsumatori është një nga shtyllat kryesore të tregut të përbashkët. Tregjet mund të funksionojnë në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme vetëm kur qytetarët kanë besim te produktet dhe shërbimet që blejnë,” u shpreh Ferrero gjatë fjalës së tij.
Ai theksoi se përafrimi me standardet e BE-së nuk përfaqëson vetëm miratimin e ligjeve të reja, por sjell ndryshime konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Harmonizimi i politikave dhe legjislacionit me Bashkimin Europian është një mundësi reale që konsumatorët shqiptarë të përfitojnë konkretisht, dhe jo vetëm përmes ligjeve të miratuara në mënyrë abstrakte,” tha ai.
Ferrero solli disa shembuj konkretë të përfitimeve që qytetarët mund të kenë nga integrimi në Bashkimin Europian. Një prej tyre është parimi “Roam like at home” (roaming si në vendin tënd), të cilit Shqipëria është aktualisht në proces për t’iu bashkuar. Ky parim do të mundësojë uljen e kostove të roamingut nga rreth 20 deri në 50 euro në ditë për përdorimin e internetit, në zero euro, duke lejuar qytetarët shqiptarë të përdorin kartën e tyre SIM në vendet e Bashkimit Europian pa kosto shtesë.
Një tjetër shembull janë të drejtat e pasagjerëve ajrorë. Nëse një fluturim drejt ose nga Bashkimi Europian, apo me një kompani ajrore të BE-së, vonohet ose anulohet, pasagjerët kanë të drejtë për kompensim deri në 600 euro, si edhe për ushqim, akomodim në hotel dhe transport.
Ai nënvizoi gjithashtu se një tjetër përfitim për qytetarët shqiptarë është mundësia për të transferuar para drejt dhe nga Bashkimi Europian pa kosto shtesë, falë aderimit në SEPA – Zona e Vetme Europiane e Pagesave.
Ndërkohë, një vendim i rëndësishëm i Bashkimit Europian që ndikon drejtpërdrejt te konsumatorët është vendosja e një karikuesi të vetëm për pajisjet elektronike, USB-C, i cili ul kostot për konsumatorët dhe njëkohësisht redukton mbetjet elektronike që dëmtojnë mjedisin.
Ferrero u ndal edhe te siguria ushqimore, duke theksuar se Bashkimi Europian ofron një nga nivelet më të larta të mbrojtjes për konsumatorët. Produktet që tregtohen në tregun europian kalojnë kontrolle dhe rregullore shumë të rrepta përpara se të dalin në treg.
Ai theksoi se në BE funksionon edhe një sistem i shpejtë alarmi, i cili identifikon dhe bllokon menjëherë çdo ngarkesë ushqimore që nuk përputhet me standardet, për shembull në rastet kur konstatohet prani e mbetjeve të pesticideve, antibiotikëve apo praktika të tjera të pasigurta.
Sipas tij, integrimi në Bashkimin Europian përfaqëson një përfitim konkret për konsumatorët shqiptarë, dhe jo vetëm një proces formal harmonizimi legjislativ.
Në përfundim, Ferrero theksoi se mbrojtja e konsumatorit kërkon angazhimin aktiv të shumë aktorëve, nga institucionet publike te organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e qytetarëve. Ai falënderoi organizatorët e aktivitetit, duke theksuar se iniciativa të tilla ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit, transparencës dhe informimit të publikut.
Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë gjithashtu Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blerina Gjylameti,
Drejtoreshë e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Ersida Teliti,Drejtore Ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”,
Rudina Lula, Drejtore e Qendrës për Ekselencë “Destiny”,
Klajdi Tozaj, koordinator i projektit në Qendrën ALERT,
si dhe Klotilda Neziri, përfaqësuese e Sektorit të Edukimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
