Menu

Pergjimet

Zbardhen përgjimet e SPAK për Rovena Vodën, mori 1 mijë euro, 1 telefon dhe 1 arkë me peshk për një punësim në MB

Zbardhen detaje të reja nga dosja e SPAK, që “fundosën” ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, ndaj së cilës GJKKO caktoi mbrëmjen e kaluar “arrest shtëpie”.

Përgjimet e SPAK zbulojnë se si ish.zv/ministrja ka marrë ryshfet dhe dhurata për të punësuar një grua në Ministrinë e Brendshme. Siç raporton gazetarja Lala, hetimi nga SPAK ka nisur në vitin 2019, për një çështje tërësisht tjetër, që në fakt zbuloi rastin e ish-zv.ministres së Brendshme.

Sipas SPAK, nga hetimi dhe përgjimet ka rezultuar se Voda i kishte premtuar Florida Beut ta punësonte si specialiste në Ministrinë e Brendshme, duke i marrë njëherë shumën prej 1 mijë eurosh, më pas një telefon dhe një arkë me peshk.

Në dosjen e SPAK thuhet se pavarësisht se ajo ka aplikuar në 11 vende pune për t’u emëruar si specialiste, ajo nuk ka kaluar as në fazën e dytë, duke mos e përfituar vendin e punës. Por, pavarësisht kësaj, Voda ka përfituar dhurata prej saj, ndaj dhe e ka konsumuar veprën penale.

Sipas SPAK, më 13 shkurt 2020, Majlinda Hasani, avokate, është takuar me Florida Beun dhe zv.ministren e kohës, Rovena Voda. Florida i ka kërkuar Vodës t’i gjente një vend pune. Ajo ka telefonuar një person, që kishte dijeni për vende pune. “Shefe nuk e bëj dot, por do ta rregulloj si specialiste”, ka thënë ajo.

Më tej, në përgjimet e SPAK, është edhe momenti kur Beu dëgjohet t’i thotë Hasanit ““Më ngeli mendja, mos duhet të jepnim më shumë, të na vendoste në një vend të hajrit”.

Ato i kanë dhënë Vodës shumën prej 1 mijë eurosh dhe sipas SPAK ky moment është filmuar, ndonëse eurot ishin në zarf. “Leku e hedh ujin përpjetë”, thotë më tej ajo.

SPAK thotë se ato i kanë bërë dhe një telefon dhuratë Vodës. Sipas SPAK, të tre gratë janë takuar edhe në një ambient të MB.

Ndërsa, takimi i fundit mes tyre është bërë më 06.03.2020, ku Voda shfaqet me makinën e saj, në Durrës, dhe ku Beu i ka dhënë dhe një arkë me peshk.

alert.al/

Arrestimet në Lushnjë/ Zbardhen përgjimet, Fatos Tushe mësonte punonjësit si të flasin në SPAK

Zbardhen përgjimet që çuan në pranga kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe dhe Flamur Peqinin, Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë. Në dokument faktohet bashkëpunimi i Tushes dhe Peqinit në tenderin korruptiv për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatin Bishthem dhe Bitaj.

Nga sa mësohet për të kryer këto punime, në garë janë paraqitur 3 kompani BOE Avduli shpk dhe Bahas shpk, Hastiçi shpk dhe EuroAlb shpk. Në përfundim të afatit të paraqitjes së ofertave, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, Margarita Gjermeni, ekonomiste, Gazmend Çela nëndrejtori dhe Xhemal Hasko përgjegjës i sektorit të ujitje të kullimit, kanë shpallur fituese kompaninë EuroAlb shpk që kishte paraqitur ofertën më të lartë 22.645.35. lekë pa TVSH me administrator Bujar Muratin.

Këtu “hyn në lojë”, kryebashkiaku Tushe dhe drejtori i ndërmarrjes së pasurive publike Flamur Peqini. Nga hetimet rezultoi se edhe pse firma EuroAlb shpk kishte fituar tenderin, punimet dhe përfitimin real të të ardhurave, i kishte realizuar dhe përfituar paratë biznesmeni Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Murati.

Biznesmeni që mori të gjitha fitimet e tenderit për rehabilitimin kanalit ujitës, Ibrahim Lami, kishte njohje me kryebashkiakun Fatos Tushen. Madje në një nga bisedat rezulton se Lami ka ndërhyrë që vajza e Fatos Tushes të marrë provimin për mjekësi.

Përgjimet që vërtetojnë njohjen mes Tushes dhe Lamit

Fatos Tushe: Si u gdhive, ça po bën

Ibrahim Lami: Hë si u gdhive ti, ça bën

Fatos Tushe: Unë nuk erdha dot se fola dhe me atë dhe  e lashë javës tjetër, por unë nesër do jemë në Tiranë se ka goca provimin dhe do jemë atje, se më morën që në mjes këtaErjon nga raportimet, për këtë tërmetin se u ndje shumë këtu, dola t’u pi cigare

Ibrahim Lami: E ngjova, e ngjova, në Lushnje ishte ajo

Fatos Tushe: Ti ça bën

Ibrahim Lami: Hic o hoc ja piva një kafe me B…dhe tha bëjeni mbledhjen vetë se do flasë dhe me Fatosin

Fatos Tushe: E mirë të jetë mirë, a vajti në parlament

….Ibrahim Lajmi për provimin e vajzës së Fatos Tushes: Unë do i them bëjë dhe kafen do ta jap pastaj.

Korrupsion dhe me naftën e Bashkisë

Fatos Tushe është kapur duke shpërdoruar detyrën në disa drejtime. Nga përgjimet ka rezultuar se ai ka lejuar persona të tjerë që të furnizojnë makinën me karburantin e shtetit, Në një nga bisedat e përgjuara, dëgjohet teksa një person që do ikte me pushime dhe merr Fatos Tushen që të furnizojnë makinën.

Personi: Përshëndetje, si jeni, si keni qenë mirë?
Fatos Tushe: Përshëndetje miku im, faleminderit mirë
Personi: Ju pengoj, jeni me pushime besoj
Fatos Tushe: Jo, jo
Personi: Unë nesër do iki me pushime…
Fatos Tushe: Është ok, po nesër në mëngjes ku do kalosh ti
Personi: Epo nesër në mëngjes aty do të kaloj unë, do futem në Lushnje, aty nga ora 7:30 besoj
Fatos Tushe: Epo mirë, të nxjerr këtë drejtorin e burimeve njerëzore unë, Turi. se unë do jem te karburanti

Të njëjtën gjë bënte dhe drejtori i Ndërmarrjes së pasurive publike, Flamur Peqini. Ky i fundit, i kërkon që të mbush makinën me karburant, të djalit të Fatos Tushes.

Menaxher i karburantit: Urdhëro Flamur
Flamur Peqini: Hidhi asaj me 3 teta o burr i dheut
Menaxher i karburantit: Ok ja tani në sekonda
Flamur Peqini: Shpejt o tani, ajo me re teta e ke parasysh, është çuni i shefit ooo shpejt
Menaxher i karburantit: Po,po hajt hajt

Biseda vijon…

Flamur Peqini: Hë Danjel
Menaxher i karburantit:  O vlla kam këtë çunin e shefit këtu o
Flamur Peqini:  Çunin e shefit, ok mbushe dhe më ço mua mesazh sa litra i hodhe
Flamur Peqini: Mirë të keqen

Bisedat mes punonjësve të Bashkisë Lushnje: Na ka thirrur SPAK! Drejtori na ka bërë 20 herë mbledhje se çdo themi

Që SPAK kishte nisur hetimet, ky grup i punonjësve të Bashkisë ishte vënë në dijeni, madje për këtë sipas përgjimeve të një nga personave të arrestuar, kryebashkiaku Fatos Tushe kishte bërë 20 herë mbledhje se çfarë do u thuhet prokurorëve.

Punonjësi 1:  Është një polic që ka sjellë shkresa si persona që mund të kenë në dijeni
Punonjësi 2: Kush do pyetet tjetër
Punonjësi 1: Unë, Ilva dhe Inxhinieri
Punonjësi 2: Po ajo çne
Punonjësi 1: Është njësi ajo
Punonjësi 1: Po, po, por duhet të shkoj në Tiranë
Punonjësi 2: Ti?
Punonjësi 1: Në të tre që na kanë thirrur si persona që mund të kemi dijeni, të mërkurën në orën 11 te SPAKU, mua thjesht s’më vjen mirë, po s’kam gjë, jam e qetë për punën që kam bërë
Punonjësi 2: Ajo ka rëndësi, habitem ç’ne që ju ngeli vetëm ju përgjegjësia
Punonjësi 1: Ne nuk jemi nën hetim, jemi persona që mund të kemi dijeni, pastaj thirren ata se mund të kenë qenë në përgjim
Punonjësi 2: Ahtu po, po dijeni për çfarë se nuk dihet se për ça ju pyesin atje më kupton
Punonjësi 1: Thanë mos kini merak, mos e diskutoni as në familje thanë të mos shqetësohen kot
Punonjësi 2: Kush tha
Punonjësi 1: Drejtori dhe ai miku jot
Punonjësi 2: Epo mirë
Punonjësi 1: Na kanë bërë 20 herë mbledhje gjoja ça të themi atje
Punonjësi 1: … Neve na ka dalë Fatosi garant, garant.

Biznesmeni i kërkoi ndihmë se kishte objketin pa leje, Fatos Tushe: I thuaj që kam fol me kryetarin

Fatos Tushe del në përgjime me një biznesmen të quajtur Ismail Blliku, i cili kishte ndërtuar pa leje, por nuk ishte raportuar si i tillë, pasi kishte ndërhyrë kryebashkiaku i Lushnjes. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Tushe në telefon Bllikut: Mirë, mirë, i thuaj që kam folur me telefon me kryetari, dhe telefoni…të thashë unë më duket….ky telefon nuk është për këto lloj bisedash, merre rrugën, ja ku është Shegasi dhe hajde më thuaj mua këtu, telefoni nuk është për këto lloj biseda…hajd

Blliku: Dakord, dakord

Fatos Tushe: Hajt

 alert.al/

Gjykata Kushtetuese shfuqizon nenin e përgjimeve në ligjin për Policinë e Shtetit

Shfuqezohet neni per pergjimet, që i jepte të drejtë Policisë të survejonte qytetarët në ambientet publike, pa lejen e prokurorit.  Sipas Gjykatës Kushtetuese, “ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik”.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:
– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
– Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues  “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesave.
2. Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.
3. Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.