Menu

UBT Drini Zusi – Sipermarrës në industrinë ushqimore

NIPT dhe siguri ushqimore / Sulaj: AKU duhet të vazhdojë punën deri në riorganizim

Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit në UBT, i ftuar në emisionin ALERT, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, shprehu shqetësimin e tij për vazhdimësinë e aktivitetit të AKU-së.

“Pavarësisht situatës që jemi, dua të ndaj shqetësimin tim që AKU duhet të vazhdojë aktivitetin, madje duhet të kryejë një aktivitet normal deri në momentin e riorganizimit ose krijimit të institucionit të ri,” tha ai.

Sulaj theksoi se nëse krijohet një agjenci më e madhe dhe më e rëndësishme, sipas modelit të Bashkimit Europian, kjo do të ishte në dobi të vendit dhe reformave për integrimin në BE.

“Nëse ka një version për të krijuar një agjenci më të madhe, një institucion më të rëndësishëm, për t’u riorganizuar sipas një modeli të Bashkimit Europian, kjo do të ishte në të mirë të vendit tonë dhe reformave që kërkohen,” shtoi ai.

Ai përmendi mundësinë e bashkimit të inspektoriateve të bujqësisë dhe peshkimit në një autoritet të vetëm, sipas shembullit të vendeve të BE-së.

“Nëse është versioni tjetër, për të sjellë bashkë inspektoriate të fushës së bujqësisë dhe peshkimit në një ombrellë organizative, në një autoritet të ri, kjo ka sens dhe do të ishte modeli më i mirë, sepse këtë model e kanë edhe vendet e BE-së,” tha Sulaj.

Ai përfundoi duke theksuar se Shqipëria, si vend i vogël, ka nevojë për zbatim të komandave vertikale dhe të drejtpërdrejta për të krijuar një sistem të integruar të sigurisë ushqimore në të gjithë territorin.

“Kërkohet zbatimi i komandave vertikale të drejtpërdrejta për të sjellë një sistem të integruar të sigurisë ushqimore dhe për të mbuluar gjithë problematikën që ka siguria ushqimore në të gjithë vendin,” përfundoi ai.

NIPT dhe siguri ushqimore / Zusi: Mishi që shitej në rrugë quhej i freskët, sot e dimë më mirë

Të premten, më 18 korrik, në emisionin ALERT, moderuar nga Granit Sokolaj, u trajtua tema: “NIPT dhe siguria ushqimore”.

I ftuar në studio ishte Drini Zusi, sipërmarrës në industrinë ushqimore, i cili theksoi se siguria ushqimore duhet të jetë prioriteti kryesor i institucioneve shtetërore.

Sipas tij, në Shqipëri mungon ndërgjegjësimi kolektiv për këtë çështje dhe ka abuzime të vazhdueshme.

“Të gjithë abuzojmë në një formë apo tjetër. Edhe pse nuk duket shumë e rëndësishme në pamje të parë, siguria ushqimore është themelore. Vetëm para një dekade, ne mendonim se mishi i freskët ishte ai që shitej në rrugë, sapo i therur,” – tha Zusi.

Ai shtoi se shumë qytetarë nuk e kuptojnë ende çfarë është ushqim i sigurt dhe çfarë jo, dhe kjo përbën një rrezik serioz për shëndetin publik.

“Po fillojmë ta kuptojmë çfarë është e sigurt dhe çfarë jo. Por ndërgjegjësimi mbetet i ulët,” – përfundoi Zusi.