Menu

vrasje me pagese

Kush janë të arrestuarit për vrasjen e vëllezërve Haxhia, policia nxjerr pamjet e aksionit në Fushë Krujë

Policia e Durrësit publikon pamjet e arrestimit të dy Besian Xhixha dhe Enver Diva nga Fushë-Kruja, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e vëllezërve Haxhia, në prill të 2020.

Policia deklaron se nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së shtetasve Besmir dhe Viktor Haxhia.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vazhdimi”, për vënien në pranga të personave të përfshirë në një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2020.

Operacioni nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, me mbështetjen e Forcave Speciale Renea dhe të Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Në vijim të punës hetimore të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të vrasjes së dyfishtë të ndodhur në vitin 2020, në tregun e makinave në Shkozet, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër, bazuar në provat e grumbulluara, mëngjesin e sotëm u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Vazhdimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve Besian Xhixha., 30 vjeç, banues në Larushkë, Krujë dhe Enver Diva., 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin.

Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” , kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimi”.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së shtetasve B. H. dhe V. H. (vëllezër).

Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.

Materialet do t’i dërgohen Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kush janë të arrestuarit

Besjan Xhixha i arrestuar sot, ka pasur probleme me drejtësinë dhe në vitin 2012 për akuzën e pengmarjes.

Në 27 Maj 2012, Besian Xhixha së bashku me tre persona të tjerë moren peng në Durres Mujo Kurtin dhe e çuan në Fushë-Krujë. Shkak ka qenë një lidhje intime që Mujo Kurti kishte krijuar me një vajzë të quajtur Diana,e cila më parë ka qenë e dashura e Besian Xhixhës…

Enver Diva është arrestuar më parë edhe për grabitje me armë në Lezhë. Ai është dënuar me 11 vite burgim për akuzen e vjedhjes me arme dhe Mbajtjes pa leje te armeve te zjarrit.Vendimi eshte dhene nga gjykata e Lezhes ne 16 mars 2011.Diva dhe Xhixha jane njohur ne burgun e Shen Kollit te Lezhe.

alert.al/

 

Pranga në Fushë Krujë 2 personave për vrasjen e vëllezërve Haxhia, i ndoqën prej ditësh, infektimi me COVID i pengoi

Aksion gjatë natës në Fushë Krujë! Dy persona janë arrestuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, më 27 prill të një viti më parë në qytetin e Durrësit. Pas fletës së “prerë” nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në pranga për ekzekutimin e dyfishtë kanë përfunduar Besian Xhixha dhe Enver Diva, të cilët mendohet se janë kontraktuar nga Nuredin Dumani për të kryer vrasjen.

Dy të arrestuarit ranë dakord për të kryer vrasjen, por Enver Diva u infektua nga pandemia COVID-19 dhe nuk mundi dot që të tërhiqte këmbëzën. Madje, tre ditë para se të ndodhte vrasja, doli në TV dhe me mikrofon në dorë ankohej se nuk kishte të hante dhe se nuk i rimbursoheshin ilaçet. Mendohet se Xhixha dhe Diva kanë pasur si “detyrë” që të studionin territorin ku do të ekzektuoheshin dy vëllezërit, ndërkohë që ndiqnin lëvizjet e tyre hap pas hapi për të kryer më pas edhe vrasjen me pagesë.

Dy të prangosurit Besian Xhixha dhe Enver Diva janë vënë nën akuzë për sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje. Ndërkohë që për vrasjen e vëllezërve Haxhia janë arrestuar më herët Altin Ndoci e Klevis Alla, ndërsa në kërkim është shpallur Talo Çela dhe Dumani. Skemën dhe arsyen e vrasjes e ka zbuluar i prangosuri Altin Ndoci, i cili tregoi se ngjarja ka ndodhur për 4.6 milionë eurot që u grabitën në Rinas.

Sipas dëshmisë së të arrestuarit, një pjesë e parave që u grabitën në Rinas, u ishin lënë dy vëllezërve Haxhia që t’i mbanin. Në momentin që Çela dhe Dumani kanë shkuar të marrin paratë e lëna, sipas Ndocit, Besmiri dhe Viktori janë justifikuar, duke thënë se paratë ua kishin grabitur në servis dhe se nuk kishin asnjë informacion. Kaq ka mjaftuar për të vendosur ekzekutimin e tyre nga dyshja Çela-Dumani.

Vëllezërit Haxhia u ekzekutuan më 27 prill 2020 brenda makinës së tyre, të llojit “Voklswagen”, me 55 plumba, tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyrin. Ngjarja ka ndodhur vetëm një kilometër larg zonës ku janë vrarë më 2 mars të të njëjtit vit dy të rinjtë, Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza.

alert.al/