Menu

Unioni Turistik Shqiptar: Dhuna rrezikon imazhin e Shqipërisë

Unioni Turistik Shqiptar shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e protestave të studentëve dhe të rinjve në Tiranë dhe në disa qytete të vendit, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje, dialog dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestave. Unioni paralajmëron se pamjet e dhunës dhe të pasigurisë mund të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, besimin e turistëve dhe marrëdhëniet me operatorët e huaj.

Në një deklaratë publike, Unioni Turistik Shqiptar thekson se e drejta për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë është një vlerë themelore e shoqërisë demokratike, por u bën thirrje protestuesve të distancohen nga veprimet që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe dëmtojnë bizneset private, shumica e të cilave, sipas Unionit, mbështesin shqetësimet e tyre.

Sipas Unionit, në sektorin e turizmit kanë investuar shumë sipërmarrës të ndershëm dhe familje shqiptare që kanë vënë në rrezik kursimet e tyre, përfshirë ato të krijuara nga emigracioni. Për këtë arsye, ai nënvizon se investimet private duhet të mbrohen, pasi nuk janë pronë e një qeverie apo force politike.

Unioni shprehet se shqetësimet e studentëve janë edhe shqetësime të sektorit të turizmit, i cili ka nevojë për të rinj të kualifikuar që të kontribuojnë në zhvillimin e industrisë, në vend që të detyrohen të emigrojnë. Sipas deklaratës, turizmi siguron të ardhura për dhjetëra mijëra familje shqiptare.

Një tjetër shqetësim lidhet me pasojat që zhvillimet e ditëve të fundit mund të kenë në imazhin ndërkombëtar të vendit. Unioni paralajmëron se pamjet e përplasjeve dhe pasigurisë, të transmetuara nga mediat ndërkombëtare, rrezikojnë të ndikojnë negativisht në besimin e turistëve dhe në partneritetet e ndërtuara me operatorët e huaj, të cilët e kanë vlerësuar Shqipërinë për mikpritjen dhe sigurinë.

Në deklaratë dënohet gjithashtu çdo përdorim i pajustifikuar apo disproporcional i forcës policore ndaj protestuesve. Unioni thekson se garantimi i rendit publik nuk mund të justifikojë cenimin e integritetit fizik, dinjitetit, të drejtave themelore dhe jetës së qytetarëve.

Në përfundim, Unioni Turistik Shqiptar i bën thirrje institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të vendit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të negociuar dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

Sipas Unionit, qeveria duhet të hapë rrugën e dialogut, ndërsa studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të negociuar me institucionet. Zëri i të rinjve, theksohet në deklaratë, duhet të dëgjohet me seriozitet dhe respekt, në mënyrë që të garantohet paqja sociale, siguria dhe vazhdimësia e zhvillimit ekonomik të vendit.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts