Ekzekutimi i Ervis Tafaruçit alias Qarrit në muajin Maj të 2013 në Kavajë, ka tërhequr vëmëndjen e prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila ka kërkuar dosjen nga prokuroria e Kavajës, duke kryer hetime të mëtejshme për këtë atentat. Çështja penale që mban numrin 165, është marë nga Kavaja në Tiranë, për të hetuar në një dosje të vetme me vrasjen e Vajdin Lamaj, Klodian Saliu dhe Artan Arsi, ku nën hetim janë marë Lulzim Berisha, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Plaurent Dervishi, Indrit Taulla, Luftar Reçi dhe Indrit Rusi. Mësohet se SPAK tashmë ka hapur hetimet për këtë vrasje të kryer 7 vite më parë.
Viktima Ervis Tafaruçi, u qëllua në një atentat mafioz, i cili ende nuk është zbuluar nga policia dhe prokuroria e Kavajës, që kanë hetuar krimin. Tafaruçi, ishte anëtar i bandës së Durrës dhe për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale në këtë qytet, ai mbeti i vrarë në muajin Maj, të vitit 2013. Dosja penale që flet për vrasjen e tij, ka qysh prej muajit Shkurt 2021 që është tërhequr nga prokuroria e posaçme, dhe se tashmë tre prokurorët e SPAK, Altin Dumani, Vladimir Mara dhe Elida Kaçkini, janë duke kryer hetime.
Një tjetër dosje që i është bashkuar katër vrasjeve të bujshme në Tiranë dhe Durrës, është dhe një procedim penal, që është tërhequr nga prokuroria e Vlorës, i cili bën fjalë për trafikimin e një sasie të madhe droge. Mësohet se në fund të muajit Maj 2021, tre prokurorët e mësipërm kanë vendosur të shtyjnë hetimet edhe për me 6 muaj të tjerë, për vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lamaj dhe Artan Arsit. Tre krime këto për të cilat janë duke u hetuar, Lulzim Berisha, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Plaurent Dervishi, Indrit Taulla, Luftar Reçi dhe Indrit Rusi.
Në vendimin për shtyrjen e hetimeve, thuhet se koha përfundimtare për plotësimin e një tabloje më të qartë të hetimit kriminal, është datë 26 nëntor 2021. Gjatë këtyre 6 muaj që policia dhe prokuroria e Posaçme SPAK, ka kryer hetime, rezulton të ketë kryer një mori veprimesh hetimore. SPAK, ka kryer ekspertimin e dhjetëra telefonave që janë gjetur dhe sekuestruar si dhe ka administruar dosjen e datës 23 nëntor 2012 të dënimit të Emiljano Shullazit dhe Edison Harizaj nga gjykata e Lezhës. Njëherësh janë marë rregjistrat e takimeve në disa burgje të vendit, takime këto që kanë kryer të dënuarit Lulzim Berisha, Indrit Taullau, Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri dhe Luftar Reçi. Gjithashtu janë marë si prova komunikatat e brendshme të policisë së qarkut Durrës, nga periusha Janar 2005 deri në periudhën shkurt 2005, ku SPAK thotë se janë gjendur prova me interes për hetimin e kësaj çështje. Gjithashtu janë marë hyrje-daljet e disa personave të huaj dhe shqiptarë, në pikat kufitare të Bllacës në Dibër dhe në pikën Kufitare të Qafë-Thanës e Rinasit.Për një periudhë 6 mujore janë marrë në pyetje personat nën hetim, si Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri alias Bajraktari, Indrit Rusi dhe Indrit Taulla. Në pyetje, thotë prokuroria e posaçme SPAK, janë marrë dhe disa nga aënëtarët e familjeve të viktimave.
alert.al


