Në një takim me kryetarët e bashkive të vendit, ku morën pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi qasjen e re të qeverisë për zhvillimin ekonomik në nivel vendor.
Ibrahimaj theksoi se bashkitë duhet ta shohin veten me “sy sipërmarrësi”, duke rritur bashkëpunimin me institucionet publike dhe biznesin privat, me synimin për të gjeneruar të ardhura përtej taksave dhe tarifave vendore. Sipas saj, taksat janë vetëm një element, ndërsa Paketa e Maleve përbën një mundësi të rëndësishme për të nxitur investimet në territoret që mbulojnë bashkitë
Ministrja vuri në dukje se një tjetër mënyrë për krijimin e të ardhurave janë shoqëritë aksionare të përbashkëta mes bashkive dhe sektorit privat, si dhe ngritja e ndërmarrjeve për menaxhimin e tregjeve apo pikave të grumbullimit. Ajo bëri të ditur se 10 bashki janë financuar nga AZHBR për ndërtimin e tregjeve, duke garantuar akses më të standardizuar për prodhimin bujqësor dhe blegtoral.
Një tjetër model i propozuar është bashkëpunimi trepalësh Bashki–QTTB–Biznes, i cili synon të shfrytëzojë asetet publike, njohurinë teknike dhe kapacitetet menaxheriale për të rritur potencialin bujqësor dhe ekonomik lokal.
Në fokus të fjalës së saj ishte edhe financimi. Ibrahimaj njoftoi se po operacionalizohet Banka Shqiptare e Zhvillimit, e cila do të mbështesë projektet e pushtetit vendor, fillimisht në pesë bashki pilot, me synimin që projektet të financohen brenda këtij viti.
Paralelisht, ministrja bëri të ditur se përmes një instrumenti financiar të vendosur nga Banka e Shqipërisë, janë vënë në dispozicion 250 milionë euro për financimin e biznesit me kosto të ulët. Ky fond mbështetet nga një garanci sovrane e qeverisë, e cila mbulon pjesën më të madhe të riskut, duke ulur nevojën për kolateral dhe duke mundësuar kredi me interes rreth 2%.

Sipas Ibrahimajt, qëllimi është gjenerimi i të ardhurave përtej buxhetit të shtetit, duke nxitur investimet private, të cilat përbëjnë rreth 70% të investimeve totale në vend. Ajo theksoi se vetëm përmes këtyre instrumenteve mund të ruhet ritmi aktual i rritjes ekonomike prej 3.5–4%.
Në takim u diskutua edhe për rolin e arsimit profesional në zhvillimin ekonomik lokal. Ministrja nënvizoi se shkollat profesionale, veçanërisht ato të turizmit dhe bujqësisë, do të orientohen drejt gjenerimit të të ardhurave, përmes shërbimeve konkrete dhe certifikimit të profesioneve, ndërsa aktualisht 11 shkolla profesionale dhe disa konvikte janë në proces rikonstruksioni.
Ibrahimaj theksoi se bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor është kyç për krijimin e rasteve konkrete të suksesit, të cilat më pas mund të replikohen në të gjithë vendin.


