Menu

Në “Alert”: Rivlerësimi i pronave, ekspertët: Lehtësi fiskale për shitësit, jo ulje çmimesh në treg

Ligji i ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme ka rikthyer në vëmendje debatin mbi çmimet e tregut imobiliar dhe barrën fiskale të pronarëve. I ftuar në emisionin AlertOra News, paneli i ekspertëve analizoi ndikimin real të kësaj mase dhe pritshmëritë e qytetarëve.

Sipas konsulentes imobiliare Anisa Musta, rivlerësimi duhet parë si një mekanizëm që lehtëson taksimin për ata që vendosin të shesin pronën gjatë këtij viti, por jo si një instrument që do të ulë çmimet në treg. Ajo theksoi se çmimet reale të transaksioneve shpesh nuk përputhen me çmimet e referencës zyrtare dhe se diferenca e kursyer në tatim nuk është e mjaftueshme për të ndikuar në mënyrë domethënëse në nivelin e përgjithshëm të çmimeve. Sipas saj, efekti mund të ndjehet më shumë te pronat e vjetra, por jo te segmenti dominues i tregut, ai i ndërtimeve të reja.

Nga ana tjetër, ekspertja e pasurive të paluajtshme Xheni Poçari e vlerësoi rivlerësimin si një hap pozitiv në formalizimin e tregut. Ajo nënvizoi se procesi është vullnetar dhe u jep mundësi pronarëve të përditësojnë vlerën zyrtare të pronës sipas tregut aktual. Kjo, sipas saj, rrit potencialin e pronës për t’u përdorur si kolateral në bankë dhe krijon më shumë hapësirë për investime apo transaksione të ardhshme.

Ndërkohë, eksperti Rajmond Dervishi shpjegoi në detaje procedurën e rivlerësimit. Ai sqaroi se pronarët mund të zgjedhin mes dy metodave: përdorimit të çmimit të referencës sipas zonës ose përmes një eksperti të licencuar që harton raport vlerësimi bazuar në çmimet reale të tregut. Pas depozitimit të dokumentacionit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përllogaritet diferenca mes vlerës së mëparshme dhe asaj të re, mbi të cilën aplikohet tatimi 5%.

Në përfundim, ekspertët ranë dakord se masa krijon një mundësi konkrete për ata që planifikojnë të shesin pronën brenda afatit të përcaktuar, por nuk përbën një ndërhyrje strukturore që ndryshon balancën e kërkesë-ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme. Për qytetarët që presin ulje çmimesh, mesazhi ishte i qartë: rivlerësimi ndikon në aspektin fiskal, jo në çmimformim.

Related Posts