Menu

Kryeministri Edi Rama

250 milionë euro për bashkitë, si përkthehen fondet në shërbime për qytetarët

Në një takim me kryetarët e bashkive të vendit, ku morën pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi qasjen e re të qeverisë për zhvillimin ekonomik në nivel vendor.

Ibrahimaj theksoi se bashkitë duhet ta shohin veten me “sy sipërmarrësi”, duke rritur bashkëpunimin me institucionet publike dhe biznesin privat, me synimin për të gjeneruar të ardhura përtej taksave dhe tarifave vendore. Sipas saj, taksat janë vetëm një element, ndërsa Paketa e Maleve përbën një mundësi të rëndësishme për të nxitur investimet në territoret që mbulojnë bashkitë

Ministrja vuri në dukje se një tjetër mënyrë për krijimin e të ardhurave janë shoqëritë aksionare të përbashkëta mes bashkive dhe sektorit privat, si dhe ngritja e ndërmarrjeve për menaxhimin e tregjeve apo pikave të grumbullimit. Ajo bëri të ditur se 10 bashki janë financuar nga AZHBR për ndërtimin e tregjeve, duke garantuar akses më të standardizuar për prodhimin bujqësor dhe blegtoral.

Një tjetër model i propozuar është bashkëpunimi trepalësh Bashki–QTTB–Biznes, i cili synon të shfrytëzojë asetet publike, njohurinë teknike dhe kapacitetet menaxheriale për të rritur potencialin bujqësor dhe ekonomik lokal.

Në fokus të fjalës së saj ishte edhe financimi. Ibrahimaj njoftoi se po operacionalizohet Banka Shqiptare e Zhvillimit, e cila do të mbështesë projektet e pushtetit vendor, fillimisht në pesë bashki pilot, me synimin që projektet të financohen brenda këtij viti.

Paralelisht, ministrja bëri të ditur se përmes një instrumenti financiar të vendosur nga Banka e Shqipërisë, janë vënë në dispozicion 250 milionë euro për financimin e biznesit me kosto të ulët. Ky fond mbështetet nga një garanci sovrane e qeverisë, e cila mbulon pjesën më të madhe të riskut, duke ulur nevojën për kolateral dhe duke mundësuar kredi me interes rreth 2%.

Sipas Ibrahimajt, qëllimi është gjenerimi i të ardhurave përtej buxhetit të shtetit, duke nxitur investimet private, të cilat përbëjnë rreth 70% të investimeve totale në vend. Ajo theksoi se vetëm përmes këtyre instrumenteve mund të ruhet ritmi aktual i rritjes ekonomike prej 3.5–4%.

Në takim u diskutua edhe për rolin e arsimit profesional në zhvillimin ekonomik lokal. Ministrja nënvizoi se shkollat profesionale, veçanërisht ato të turizmit dhe bujqësisë, do të orientohen drejt gjenerimit të të ardhurave, përmes shërbimeve konkrete dhe certifikimit të profesioneve, ndërsa aktualisht 11 shkolla profesionale dhe disa konvikte janë në proces rikonstruksioni.

Ibrahimaj theksoi se bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor është kyç për krijimin e rasteve konkrete të suksesit, të cilat më pas mund të replikohen në të gjithë vendin.

Reformë për sigurinë ushqimore, Rama:Nuk do të lejohet më asnjë bulmet pa faturë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një mbledhje me drejtuesit e qarqeve dhe deputetët e Tiranës, ku u zyrtarizua nisja e aksionit në të gjithë vendin  për ndalimin e tregtimit të produkteve ushqimore pa faturë. Mbledhja vjen në vazhdim të paralajmërimit të dhënë të premten në Durrës, ku Rama e cilësoi sigurinë ushqimore si një nga pikat më të dobëta në raport me procesin e integrimit europian, dhe të aksionit përgatitor të zhvilluar të shtunën në terren nga ministrja e Bujqësisë Anila Denaj dhe ministri i Financave Petrit Malaj.

“Qumështi dhe bulmeti pa faturë nuk do të lejohen më. Kushdo që e shkel këtë rregull, do ta humbasë mallin. Ky është vetëm fillimi i një kontrolli të rreptë dhe i një epoke të re për sigurinë ushqimore në vend,” deklaroi Rama nga mbledhja e zhvilluar në Tiranë. Ai bëri të qartë se nuk do të ketë më justifikime të tipit “e mora nga fshati” dhe se produktet e freskëta pa dokumentacion do të ndalohen në mënyrë të menjëhershme.

Aksioni ka nisur zyrtarisht këtë të hënë në të gjitha tregjet e vendit. Grupet e inspektimit të përbëra nga AKU dhe administrata tatimore janë pozicionuar në tregje për të kontrolluar nëse subjektet posedojnë faturë tatimore për produktet e freskëta, veçanërisht për qumështin, bulmetin dhe mishin. Ministrja Denaj dhe ministri Malaj, të cilët të shtunën zhvilluan takime sensibilizuese me tregtarë dhe prodhues, kanë deklaruar se nuk do të ketë më tolerime: çdo shkelje do të shoqërohet me ndalim të menjëhershëm të aktivitetit dhe sanksione përkatëse.

Pjesë e kësaj reforme është edhe pezullimi i përkohshëm i veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe fillimi i një procesi të ri vlerësimi për të gjithë inspektorët ekzistues, të cilët do të testohen me gojë dhe me shkrim. Paralelisht, është hapur mundësia për rekrutimin e stafit të ri, për të ndërtuar një AKU të besueshme dhe profesionale.

Sipas Ramës, kjo masë nuk synon të penalizojë fermerët apo tregtarët e ndershëm, por të garantojë shëndetin publik dhe të respektojë rregullat bazë të një tregu të rregullt, që i afrohet standardeve të Bashkimit Europian. Ai theksoi se ky është një hap konkret drejt forcimit të disiplinës fiskale dhe vendosjes së një kulture të re në trajtimin e sigurisë ushqimore.

 

Bujqësia, prioritet strategjik i qeverisë / Tryezë dialogu për vizionin “Shqipëria 2030”

Në qytetin e Cërrikut nisi sot një tryezë dyditore dialogu mes politikëbërësve, fermerëve dhe sipërmarrësve ruralë, në funksion të vizionit afatgjatë “Bujqësia 2030” dhe për të përforcuar përgatitjet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ky aktivitet, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon të krijojë një platformë bashkëpunimi mes aktorëve kryesorë të sektorit bujqësor, për të adresuar sfidat aktuale dhe për të ndërtuar politika të qëndrueshme dhe të orientuara drejt standardeve europiane.

Në takim morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe qindra fermerë, sipërmarrës dhe aktorë të tjerë nga gjithë Shqipëria rurale.

Ministrja Anila Denaj, gjatë fjalës së saj, u ndal tek rezultatet e arritura gjatë dekadës së fundit në sektorin e bujqësisë, duke përmendur trefishimin e sipërfaqeve të mbjella në sera, pesëfishimin e eksporteve bujqësore që tashmë shkojnë në mbi 80 tregje ndërkombëtare, si dhe rritjen e konsiderueshme të mbështetjes financiare për fermerët. Ajo gjithashtu theksoi investimet në infrastrukturë, teknologji dhe siguri ushqimore si tregues të progresit në këtë sektor.

“Këto dy ditë janë një hap konkret për të dëgjuar zërin tuaj, për të identifikuar problemet reale që përballoni çdo ditë dhe për të ndërtuar së bashku rrugët e zhvillimit. Qëllimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një bujqësi moderne, konkurruese dhe pjesë të familjes europiane,” u shpreh Denaj, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis politikëbërësve, komunitetit akademik dhe sipërmarrjes rurale.

Gjatë aktivitetit do të zhvillohen diskutime në grupe pune tematike, ku pjesëmarrësit do të ndajnë ide dhe propozime mbi çështje të tilla si zhvillimi i agroturizmit, përpunimi bujqësor, teknologjitë e reja në bujqësi, financimet, siguria ushqimore dhe menaxhimi i burimeve natyrore.

Në përfundim të tryezës, më 3 korrik 2025, do të prezantohen konkluzionet dhe rekomandimet për secilën temë të trajtuar, të cilat pritet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave dhe ndërhyrjeve konkrete në kuadër të strategjisë “Bujqësia 2030”.

Kjo nismë përfaqëson një përpjekje të drejtpërdrejtë për të përfshirë zërin e fermerëve në vendimmarrje dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi për një të ardhme më të qëndrueshme të bujqësisë shqiptare.