Mishi i pulës, i konsideruar si një nga burimet më të shëndetshme të proteinave shtazore, po përballet me një problem që lidhet me mënyrën e rritjes së shpendëve. Përzgjedhja gjenetike për rritje të shpejtë dhe zhvillim të gjoksit të pulave ka favorizuar shfaqjen e anomalive muskulore, të njohura si “vijat e bardha” dhe “gjoksi i ngurtë”. Sipas studimeve në një analizë të revistës franceze 60 Millions de consommateurs, këto anomali janë të përhapura në industrinë e shpendëve dhe ndikojnë në cilësinë e mishit, përbërjen ushqyese dhe mirëqenien e kafshëve.
Pulat arrijnë 3 kilogramë brenda 6 javësh
Gjysma e filetove në treg kanë vija të bardha, 3 nga pesë të rritura në fermë kanë një “gjoks të fortë” dhe humbasin deri në 30% të peshës së tyre gjatë gatimit.
Për të përmbushur kërkesën në rritje për mish pule, industria ka favorizuar raca që shtojnë peshë në një kohë shumë të shkurtër. Sipas të dhënave të kompanisë Aviagen, një pulë e rritur për mish mund të arrijë rreth 3 kilogramë pas 42 ditësh, duke konsumuar afërsisht 4.6 kilogramë ushqim. Mishi i pulës përmbush kërkesat e një stili jetese të ngjeshur: Gatuhet shpejt dhe lehtë dhe gëzon imazhin e “mishit të bardhë”, i konsideruar i shëndetshëm dhe i lehtë. Por, mbi të gjitha, është i përballueshëm ekonomikisht. Pula së bashku me vezët është një burim i proteinave shtazore, gjë që është edhe arsyeja pse zinxhirët e ushqimit të shpejtë të specializuar në pulë të skuqur, si KFC dhe Popeyes, po përhapen.
Përzgjedhja e këtyre racave ka ndryshuar edhe përmasat e trupit të pulës. Gjoksi, pjesa më e kërkuar nga konsumatorët evropianë, përbën sot një pjesë shumë më të madhe të peshës së shpendit sesa në mesin e shekullit të kaluar. Zhvillimi i tepruar i muskujve mund të vështirësojë lëvizjen dhe të favorizojë shfaqjen e çrregullimeve muskulore.
Një nga anomalitë më të dukshme janë vijat e bardha që shfaqen përgjatë filetove të pulës dhe mund të dallohen lehtësisht në produktet e ekspozuara në supermarkete. Ato lidhen me dëmtimin e fibrave muskulore dhe grumbullimin e yndyrës dhe indit lidhës.
Ekziston një problem tjetër. Muskujt janë shumë të mëdhenj dhe kanë një furnizim të reduktuar me gjak. Kjo nxit shfaqjen e sëmundjeve muskulore (miopatitë), të cilat ekspertët i klasifikojnë në tre mënyra. “Problemi nuk ka të bëjë me një fermë të vetme, por lidhet me karakteristikat gjenetike të pulave me rritje të shpejtë, të cilat janë në thelb të njëjtat që rriten në të gjithë botën” shpjegoi Massimiliano Petracci, profesor në Universitetin e Bolonjës, për revistën franceze 60 Millions de consommateurs. Petracci ka kryer kërkime mbi cilësinë e mishit të shpendëve, me një fokus të veçantë në anomalitë e muskujve të gjirit, që nga viti 2010.
Problemi i dytë është “gjoksi prej druri”, i cili e bën mishin të fortë dhe si gomë. Në raste më të rënda, muskujt e prekur mbulohen me një lëng xhelatinoz. Gjoksët e pulës me këtë defekt degradohen dhe destinohen për përdorime të tjera në kuzhinë dhe nuk gjenden në supermarkete.
Sipas studimeve të cituara në analizë, në Francë, Itali, Spanjë dhe Brazil, vijat e bardha janë konstatuar në të paktën gjysmën e filetove të ekzaminuara, ndërsa rreth 20-30% e rasteve klasifikohen si të rënda.
Një studim italian i zhvilluar gjatë viteve 2017–2018, ku u analizuan rreth 16 mijë pula, evidentoi gjithashtu përhapje të lartë të gjoksit “prej druri”. Sipas rezultateve të raportuara nga Baldi dhe bashkëpunëtorët e tij në vitin 2020, rreth 60% e filetove shfaqën këtë anomali, me forma të moderuara dhe të rënda të përfshira në vlerësim.
Më pak proteina dhe më shumë yndyrë
Këto ndryshime nuk konsiderohen, në vetvete, provë se mishi përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Megjithatë, ato ndikojnë në cilësinë e produktit dhe në vlerat e tij ushqyese. Sipas studiuesve, filetot me vija të bardha mund të kenë përmbajtje më të lartë yndyre, veçanërisht në rastet e rënda. Ndërsa te gjoksi i ngurtë, një pjesë e proteinave të fibrave muskulore zëvendësohet nga indi lidhës, përfshirë kolagjenin. Një studim i cituar në analizë ka evidentuar rreth 12% më pak proteina në gjoksin e pulës me këtë anomali, krahasuar me mishin pa ndryshime të tilla.
Filetot me format më të rënda të gjoksit shpesh nuk shiten si produkte të zakonshme të freskëta, por mund të përdoren në prodhimin e produkteve të përpunuara të pulës. Sipas ekspertëve, anomalitë nuk lidhen domosdoshmërisht me një fermë të caktuar, por me karakteristikat gjenetike të racave me rritje të shpejtë, të përdorura gjerësisht në industrinë e shpendëve.
Përhapja e këtyre racave e bën të vështirë zgjidhjen e problemit, ndërsa një nga alternativat është përdorimi i pulave me rritje më të ngadaltë, të cilat kanë më pak gjasa të zhvillojnë këto çrregullime.
Fenomeni ngre kështu pikëpyetje jo vetëm për cilësinë e mishit që përfundon në tryezat e konsumatorëve, por edhe për pasojat që modeli intensiv i prodhimit mund të ketë mbi shëndetin dhe mirëqenien e shpendëve. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


