Maksim Sota, prokuror në Prokurorinë e Vlorës është arrestuar nga oficerët e Prokurorisë SPeciale SPAK dhe oficerët e Antimafias që kanë ardhur nga Italia posaçërisht për këtë operacion. I koduar “Shpirti”, ky operacion ka çuar në pranga 38 persona, në Itali, Shqipëri, Malin e Zi dhe në Spanjë.
Gjithashtu, mësohet se në prangat e oficerëve ka rënë dhe Shefi i Seksionit Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ilirjan Balla, Festim Lelaj, ish-oficer policie, dhe Saimir Kurti, drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë. Deri tani, këta janë emrat e personave të arrestuar, por ka dhe të tjerë pasi numri më i lartë i personave për të cilët janë prerë urdhër-arrestet, janë në Shqipëri.
Gjatë hetimeve, që kanë nisur në vitet 2018 dhe 2020 mbi trafikun e drogës nga Shqipëria në Pulia, fenomenet e korrupsionit u rindërtuan, gjithashtu falë deklaratave nga katër bashkëpunëtorë të drejtësisë, u zbulua abuzimi me detyrën dhe rindërtimi i gjithë “zinxhirit të furnizimit” të drogës: nga kultivimi te prodhimi, grumbullimi, magazinimi dhe dërgimi në brigjet e Pulias në bordin e gomoneve.
Arrestimet po kryhen me ndihmën ndërkombëtare të Zyrës Ndërlidhëse të Interforces në Tiranë dhe Policisë Shqiptare, si pjesë e një Ekipi të Përbashkët Hetimi, shkruajnë mediat italiane. Me ardhjen e oficerëve nga Italia në Tiranë, operacionet janë kryer të gjitha në të njëjtën kohë në disa qytete të vendit.
Të arrestuarit po sillen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Operacioni është koordinuar nga selia e Eurojust në Hagë, Holandë. Gjithashtu, bëhet me dije se autoritetet e drejtësisë kanë lëshuar disa urdhra për sekuestrimin e miliona eurove që janë investuar nga të arrestuarit në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Të arrestuar:
– Ilirjan Balla – Shefi i Seksionit Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë
– Festim Lelaj – Ish-oficer policie
– Saimir Kurti – Drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë
– Maksim Sota – Prokuror në Prokurorinë e Vlorës
alert.al/


