Nënpoduktet e qumështit të dhisë dhe deles do të rriten pas 15 shkurtit. Kështu ka paralajmëruar Industria e përpunimit, e cila ka deklaruar se nënpoduktet e qumështit të dhisë dhe deles do të shiten tek konsumatori nga 8-37 % më tepër, pasi 1 litër qumësht te fermerët po blihet 20 lekë më tepër. Pas këtij njoftimi Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nisë monitorimin e tregut dhe të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të qumështit, për të evidentuar nëse ekzistojnë shenja të marrëveshjeve të ndaluara apo shkeljeve të tjera të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”
Njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione të bëra publike në media mbi njoftimin e ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit, të cilat kanë lajmëruar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur nga data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta, vendosi ngritjen e Grupit të Punës për monitorimin e këtij tregu.
Duke ndarë të njëjtin shqetësim për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë, Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi. Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.
Qendra Alert/Alert.al


