Menu

Standardet e sigurisë ushqimore dhe transparenca e etiketimit në fokus të debatit nga ekspertët në “Alert”

Emisioni “ALERT” i kësaj të premteje u fokusua te siguria ushqimore, etiketimi i produkteve dhe cilësia e qumështit e nënprodukteve të tij. Të ftuarit në studio theksuan se ligji kërkon deklarimin e plotë të përbërësve në etiketë, por sipas ekspertëve ka ende paqartësi dhe probleme praktike në zbatim, veçanërisht kur bëhet fjalë për përbërës të grupuar ose të paidentifikuar qartë.

Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë Ushqimore, Kapllan Sulaj, vuri në dukje se deklarimi i përbërësve “të tjerë” në masën 2–3% pa specifikim është non sens dhe përbën problem serioz për transparencën dhe sigurinë e konsumatorit

Ndërkohë, Ilir Pilku, Drejtor Ekzekutiv i IPQ-së, nënvizoi domosdoshmërinë e ngritjes së laboratorëve në pikat kufitare, për të kontrolluar produktet ushqimore të importuara dhe për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve.

Nga ana tjetër, inxhinierja dhe teknologia ushqimore Drita Deçolli sqaroi se kosi tradicional nuk ka nevojë për qumësht pluhur, duke theksuar dallimet mes prodhimit artizanal dhe atij industrial, si dhe rëndësinë e ruajtjes së cilësisë autentike të produkteve tradicionale.

Debati nxori në pah nevojën për kontrolle më të forta, transparencë në etiketim dhe politika më të qarta, në funksion të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Related Posts