Një vatër e sëmundjes së PPR, e njohur ndryshe si “murtaja e ruminantëve të vegjël”, është konfirmuar zyrtarisht në qarkun e Dibrës, duke vënë në alarm autoritetet veterinare.
Sëmundja virale, tejet ngjitëse dhe me mortalitet të lartë, prek bagëtitë e imëta si dhitë dhe delet, por fatmirësisht nuk transmetohet te njerëzit.
Vatra e re u identifikua më 31 mars në një fermë në Dibër. Erson Dhimespira, Drejtor i Drejtorisë së Veterinarisë (AKVMB) i ftuar në emisionin “Alert” bëri të ditur se janë marrë masa të menjëhershme për izolimin e saj.
E gjithë tufa në fermën e prekur, tha ai, përfshirë edhe kafshët që nuk shfaqnin shenja klinike, është asgjësuar për të parandaluar përhapjen, ndërsa ambientet janë dezinfektuar.
Sipas tij, PPR është një sëmundje relativisht e re për Shqipërinë, me rastet e para të shfaqura vitin e kaluar. Ajo shkakton dëme të mëdha ekonomike për fermerët për shkak të ngordhjeve masive dhe shpejtësisë së lartë të transmetimit brenda tufës.
Periudha aktuale e pjelljeve e bën situatën më delikate, pasi kafshët e reja si kecat dhe qingjat janë më të prekshëm për shkak të imunitetit të ulët.
Shqipëria konsiderohet vend me rrezik të lartë për shkak të qarkullimit të kësaj sëmundjeje në vendet fqinje si Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Zonat kufitare, veçanërisht qarqet e Dibrës, Gjirokastrës dhe Tepelenës, janë nën një vigjilencë të shtuar. Autoritetet po kryejnë një hetim të thelluar epidemiologjik për të zbuluar origjinën e infeksionit në vatrën e Dibrës, ku dyshimet kryesore lidhen me lëvizjet e pakontrolluara të kafshëve apo kontaktin mes tufave në kullotat pranë kufirit.
Në terren, janë vendosur zona të kontrollit dhe mbikëqyrjes në një rreze prej 3 dhe 10 kilometrash rreth fermës së prekur. Erson Dhimespira, u shpreh se Drejtoria Rajonale e AKVMB-së, që mbulon edhe qarkun e Dibrës, po verifikon të gjitha fermat në këtë zonë për të siguruar që vatra mbetet e izoluar dhe për të parandaluar çdo mundësi të një shpërthimi më të gjerë.


