Një vatër e re e murtajës së të vegjëlve është identifikuar në një fermë në qarkun e Dibrës, por origjina e infeksionit ka vënë në vështirësi ekspertët veterinarë, të cilët nuk kanë arritur ende të gjejnë burimin e saj.
Rasti paraqet një enigmë, pasi rrethanat e shpërthimit janë krejtësisht të ndryshme nga ato të vëzhguara në vitin e kaluar.
E ftuar në emisionin “Alert”, Gëzime Shehu, Drejtoreshë e AKVMB Tiranë u shpreh se sipas hetimeve epidemiologjike, ndryshe nga rastet e mëparshme që lidheshin me tregtinë e paligjshme të kafshëve pa dokumentacion, ferma në fjalë funksionon si një cikël i mbyllur.
Ajo ka nisur aktivitetin në vitin 2015 me një numër të vogël krerësh dhe që atëherë, tufa është rritur vetëm përmes riprodhimit të brendshëm.
Të dhënat nga sistemi i identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve (RUDA) konfirmojnë se në këtë fermë nuk është futur asnjë kafshë e re gjatë shtatë viteve të fundit, çka e bën të pamundur identifikimin e një burimi të jashtëm infeksioni.
Një tjetër element që e komplikon gjurmimin e sëmundjes është mënyra e kullotjes së bagëtive në zonë. Kafshët ushqehen në parcela të izoluara, të quajtura “zabele”, gjë që parandalon kontaktin mes tufave të fermave të ndryshme. Kjo praktikë, ndonëse ka shërbyer si një barrierë natyrore duke penguar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes te pesë fermat e tjera të mëdha në zonë, të cilat nuk paraqesin asnjë shenjë klinike, nga ana tjetër e bën hetimin edhe më të vështirë.
Edhe pse qarku i Dibrës u prek nga kjo sëmundje edhe vitin e kaluar, duke qenë vatra e dytë pas asaj të Shkodrës, situata aktuale është e ndryshme.
Në rastin e mëparshëm, hetimi arriti të gjurmonte origjinën te kafshët e blera në treg pa certifikatë veterinare. Vatra e re ndodhet në një zonë tjetër gjeografike, konkretisht në njësinë Shupenzë, larg vatrës së vitit të kaluar në njësinë Kastriot.
Shenjat klinike të vërejtura këtë herë kanë qenë atipike, duke mos përfshirë disa nga simptomat klasike të sëmundjes, siç janë krustet. Kafshët shfaqnin temperaturë të lartë dhe etje të theksuar, shenja që shtynë fermerin e përkushtuar të lajmëronte menjëherë shërbimin veterinar. Për shkak të këtyre paqartësive, mostrat e dërguara në laborator po analizohen edhe për sëmundje të tjera për të bërë një diagnozë diferenciale. Ndërkohë, burimi i infeksionit mbetet një mister.


