Një sasi açugesh të eksportuara nga Shqipëria në Itali dhe që tregtoheshin për konsumatorët e shtetit fqonj kanë rezultuar me Histaminë, një ndotës biologjik që shkakton probleme serioze për shëndetin. Sistemi RASFF i Komisionit Evropian ka njoftuar më 22 shtator, se gjatë kontrolleve në market dhe marrjen e mostrave rutinë të autoriteteve italiane, açuge të eksportuara nga kompania “Poseidon” shpk. As analizave, ka rezultuar se ky produkt përmban Histaminë në masën 800 mg/kg – ppm, nga 400 mg/kg – ppm qështë limiti maksimal i lejuar. Autoritete italiane kanë urdhëruar menjëherë heqjen nga tregu, ndërsa është njoftuar dhe sistemi RASFF.
Qendra ALERT ka mësuar se, açuget në fjalë janë të importuara në Shqipëri dhe ashtu siç ndodh zakonisht, ato përpunohen dhe bëhen rieksport. Kompania që ka bërë përpunimin e tyre dhe eksportin në Itali, sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, është “Poseidon” shpk.

Histamina te peshqit formohet si pasojë e zbërthimit të aminoacidit histidinë nga bakteret. Ky proces ndodh me shpejtësi nëse peshku nuk ruhet në temperaturat e duhura (nën 4°C).
Për më tepër, histamina është rezistente ndaj nxehtësisë, që do të thotë se gatimi, skuqja apo procesi i konservimit nuk e shkatërrojnë atë nëse ajo është formuar një here
Nëse konsumoni açuge me nivele shumë të larta histamine, mund të pësoni një helmim ushqimor që ngjan me një reaksion alergjik. Simptomat shfaqen nga pak minuta deri në 2-3 orë pas ngrënies dhe përfshijnë: Skuqje e fytyrës dhe qafës dhe ndjesi nxehtësie; Kruarje lëkure ose puçrra të kuqe me kruajtje; Dhimbje koke të fortë dhe marrje mendësh; Probleme me tretjen si dhimbje stomaku, të përziera, të vjella ose diarre dhe takikardi.
©Qendra ALERT


