Menu

Blegtorët në vështirësi: 7 kërkesa qeverisë, paralajmërojnë protesta

Blegtoria po përballet me një krizë që po rrezikon mbijetesën e fermave. Kostot e larta të prodhimit, çmimi i naftës, konkurrenca e importeve dhe subvencionet që prodhuesit i konsiderojnë të pamjaftueshme kanë rikthyer sytë nga qeveria. Blegtorët i kanë dërguar një letër institucioneve kompetente, me 7 kërkesa që këkrojnë zgjidhje emergjente, në të kundërt paralajmërojnë rikthimin e protestave.

Letra i është dërguar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Bujqësisë Andis Salla dhe ministrit të Financave Petrit Malaj, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për situatën e sektorit të blegtorisë.

“Aktualisht blegtoria është në kushte të vështira mbijetese dhe nevoja për zgjidhjen e kërkesave tona bëhet përditë edhe më emergjente. Kemi pritur shtatorin sipas dakordësimit të bërë në takimin e datës 07.04.2026, por kjo pritje nuk mund të shtyhet më tej. E rrjedhur kjo nga problematikat që janë të njohura, por dhe ato të pa parashikuara që ndodhet sot tregu në Shqipëri” theksohet në letrën e tyre.

Në letrën drejtuar institucioneve, blegtorët rendisin 7 kërkesa konkrete:

1) krijimin e një laboratori shtetëror për analizat e qumështit;

2) uljen e çmimit të naftës përmes heqjes së akcizës dhe taksave;

3) vendosjen e tarifave për vajin e palmës, qumështin pluhur dhe hirrën;

4) rishikimin dhe rritjen e subvencioneve për blegtorët;

5) etiketimin e produkteve duke treguar origjinën e qumështit të përdorur;

6) kalimin e fondeve të parealizuara të skemës së kompensimit 10% të TVSH-së në subvencione për blegtorët;

7) forcimin e kontrolleve në kufi për qumështin e importuar, për aflatoksinën, proteinën, yndyrën dhe ngarkesën mikrobiologjike.

Blegtorët shprehen se kërkesat e tyre janë jetike për situatën ku ndodhet aktualisht sektori i blegtorisë dhe rrjedhimisht kërkojnë një takim sa më shpejt me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave, duke paralajmëruar se nëse nuk merren masa konkrete, mund të rikthehen protestat.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts