Menu

Molekula “e padukshme” në mishin e kuq që mund të rrisë rrezikun e diabetit

Mishi i viçit dhe i qengjit mund të fshehin një molekulë sheqeri që deri tani nuk ishte konsideruar sa duhet në lidhjen mes mishit të kuq dhe diabetit të tipit 2. Një studim i ri, ku u analizuan rreth 90 mijë të rritur në Francë, ka identifikuar molekulën Neu5Gc, e cila nuk prodhohet nga trupi i njeriut, por merret përmes ushqimit. Studiuesit zbuluan se personat me konsumin më të lartë të kësaj molekule kishin 63% më shumë rrezik për të zhvilluar diabet të tipit 2, duke ngritur dyshime se përgjigjja inflamatore e organizmit ndaj Neu5Gc mund të jetë një nga mekanizmat pas kësaj lidhjeje. Diabeti i tipit 2 është një sëmundje në të cilën organizmi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose insulina që prodhohet nuk funksionon siç duhet, duke çuar në rritjen e nivelit të sheqerit në gjak. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 4.3 milionë njerëz jetojnë me diabet të tipit 2, ndërsa rreth 12 milionë të tjerë mendohet se janë në rrezik të lartë për ta zhvilluar atë.

Çfarë zbuloi studimi?

Në studim morën pjesë rreth 90 mijë të rritur në Francë, të cilëve iu kërkua të plotësonin tri regjistrime 24-orëshe me të gjitha ushqimet dhe pijet që kishin konsumuar. Bazuar në këto të dhëna, studiuesit vlerësuan sasinë e Neu5Gc që secili pjesëmarrës merrte përmes ushqimit. Pjesëmarrësit u ndoqën për rreth shtatë vjet dhe rezultatet treguan se personat që konsumonin sasinë më të madhe të Neu5Gc nga mishi kishin 63 për qind rrezik më të lartë për të zhvilluar diabet të tipit 2, krahasuar me ata që konsumonin sasinë më të vogël. Personat me marrjen më të lartë të Neu5Gc konsumonin gjithashtu më shumë mish të kuq. Burrat hanin mesatarisht rreth 97 gramë në ditë, ndërsa gratë rreth 73 gramë. Lidhja mes Neu5Gc dhe diabetit mbeti e dukshme edhe pasi studiuesit morën parasysh faktorë të tjerë si mosha, pirja e duhanit, aktiviteti fizik, cilësia e përgjithshme e dietës dhe indeksi i masës trupore.

Studiuesit kërkojnë analiza të mëtejshme

Autori kryesor i studimit, Dr. Leopold Fezeu, nga Université Sorbonne Paris Nord, tha se gjetjet janë të rëndësishme duke pasur parasysh sa i përhapur është konsumimi i mishit të kuq në dietat perëndimore.“Duke marrë parasysh sa i zakonshëm është mishi i kuq në ushqyerjen perëndimore, lidhja e fortë mes Neu5Gc që merret nga mishi dhe rrezikut për diabet të tipit 2 është një gjetje e rëndësishme”, tha ai.

Sipas tij, studimet e ardhshme duhet të shqyrtojnë nëse ulja e ekspozimit ndaj Neu5Gc, për shembull duke zëvendësuar një pjesë të mishit të viçit dhe qengjit me mish pule ose proteina bimore, mund të ndihmojë në parandalimin e diabetit të tipit 2.

Sa mish i kuq rekomandohet?

Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar këshillojnë që personat që konsumojnë më shumë se 90 gramë mish të kuq ose të përpunuar në ditë ta reduktojnë sasinë në një mesatare prej rreth 70 gramësh. Megjithatë, studimi tregon një lidhje statistikore dhe nuk provon se Neu5Gc ose mishi i kuq shkaktojnë drejtpërdrejt diabetin e tipit 2. Nevojiten kërkime të tjera për të kuptuar më qartë mekanizmat biologjikë dhe ndikimin afatgjatë.

Qendra Alert/Alert.al

 

Related Posts