Qeveria propozon një rishikim të normave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në paketën fiskale 2027, duke ulur nga 20% në 6% TVSH-në për produktet bazë ushqimore, por njëkohësisht duke rritur normën standarde nga 20% në 21% dhe atë për sektorin e turizmit nga 6% në 10%.
Për herë të parë, Shqipëria synon të aplikojë një normë të reduktuar të TVSH-së për produktet e shportës ushqimore. Lista e propozuar përfshin bukën dhe miellin, qumështin dhe kosin natyral, vezët, orizin, makaronat, vajin ushqimor, mishin, peshkun bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqerin dhe ushqimet bazë për foshnja. Lista përfundimtare e produkteve përfituese do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas relacionit të pr.ligjit, ulja e TVSH-së për ushqimet synon të lehtësojë barrën e konsumit bazë dhe të përmirësojë fuqinë blerëse të familjeve, veçanërisht të atyre me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Megjithatë, ulja e taksës nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve në të njëjtën masë, pasi kjo do të varet edhe nga mënyra se si bizneset do ta reflektojnë ndryshimin te konsumatorët.
Krahas lehtësimit për ushqimet, projektligji parashikon rritjen e normës standarde të TVSH-së në 21%. Sipas qeverisë, kjo masë synon të kompensojë humbjet në të ardhurat buxhetore nga aplikimi i normës së reduktuar për produktet ushqimore dhe të sigurojë financimin e shërbimeve publike dhe investimeve.
Rritja e normës standarde mund të prekë një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh që nuk përfitojnë nga normat e reduktuara, duke ndikuar potencialisht në kostot e bizneseve dhe çmimet për konsumatorët. Kontabilistët kanë paralajmëruar se ndryshimi mund të prekë sektorë të ndryshëm, përfshirë transportin dhe materialet e ndërtimit.
Ndryshime parashikohen edhe për turizmin. TVSH-ja për shërbimet e akomodimit, hotelet me pesë yje me status special dhe agroturizmin propozohet të rritet nga 6% në 10%. Norma e reduktuar për këto kategori aplikohet që prej vitit 2017.
Në relacion, qeveria argumenton se sektori i turizmit ka arritur një nivel më të lartë zhvillimi dhe se lehtësitë fiskale duhet të rishikohen për të krijuar një raport më të ekuilibruar mes mbështetjes së bizneseve dhe të ardhurave publike. Si argument paraqitet edhe praktika e vendeve të rajonit dhe rekomandimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit përfitimi nga norma e ulët e TVSH-së mund të jetë përthithur kryesisht nga operatorët ekonomikë, pa u reflektuar domosdoshmërisht në çmime më të ulëta për turistët.
Sipas përllogaritjeve të projektligjit, ndryshimet do të sjellin një efekt financiar neto negativ prej rreth 1,6 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit. Konkretisht, rritja e TVSH-së standarde në 21% pritet të gjenerojë rreth 10,6 miliardë lekë të ardhura shtesë, ndërsa ulja e TVSH-së për produktet ushqimore në 6% vlerësohet të shkaktojë një efekt negativ prej rreth 12,8 miliardë lekësh. Nga rritja e normës për turizmin në 10%, buxheti parashikohet të përfitojë rreth 614 milionë lekë. Projektligji për ndryshimet në ligjin për TVSH-në parashikon që masat të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte nga 1 janari 2027. Deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të ndryshimeve, normat e reja mbeten propozime.
Qendra Alert/Alert.al


