Menu

Frikë nga tubimet? Qeveria, gjobë deri në 500 mijë lekë për protestuesit

 

Qeveria dërgon në Kuvend ndryshimet në ligjin për tubimet, duke parashikuar gjoba deri në 500 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrave të Policisë së Shtetit. Masat përfshijnë pjesëmarrjen në tubime të ndaluara, refuzimin për t’u shpërndarë dhe fshehjen e identitetit.

Sipas aktit normativ të dërguar për miratim në Kuvend, pjesëmarrja në tubime të ndaluara dhe mosbindja ndaj urdhrit të policisë për shpërndarje dënohen me gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Në raste të caktuara, masa administrative mund të arrijë deri në 200 mijë lekë.

Gjobat më të larta, nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë, parashikohen për personat që nuk i binden urdhrit të policisë për shpërndarjen e tubimit dhe kanë fshehur identitetin. Ndërkohë, bllokimi i rrugëve gjatë tubimeve, kur pengohet qarkullimi i mjeteve, parashikohet të dënohet me 5 mijë lekë.

Gjobat do të vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.

Përveç masave ndëshkuese, ndryshimet parashikojnë kufizime të përkohshme pranë objekteve të caktuara kur ekziston një rrezik real dhe i afërt, përcaktimin e zonave të mbrojtura dhe dokumentimin audiovizual të paralajmërimeve dhe akteve të dhunës. Parashikohen gjithashtu masa për parandalimin e thirrjeve për dhunë përmes rrjeteve sociale dhe formave të tjera të komunikimit. Akti normativ parashikon hyrjen e menjëhershme në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts