Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) kundërshton ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se rritja e barrës tatimore mund të dëmtojë bizneset, të frenojë investimet e huaja dhe të dobësojë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon.
Në një deklaratë, AmCham thekson se rritja e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15%, e TVSH-së standarde nga 20% në 21% dhe e disa normave të reduktuara të TVSH-së nga 6% në 10% do të ndikojë drejtpërdrejt në kostot e bizneseve, fondet për riinvestim dhe planet e zgjerimit të tyre.
Sipas Dhomës Amerikane, financimi i masave sociale nuk duhet të mbështetet te rritja e taksave për bizneset që deklarojnë aktivitetin dhe përmbushin rregullisht detyrimet tatimore, pa u shqyrtuar më parë alternativat dhe efektet ekonomike të ndërhyrjes.
AmCham paralajmëron gjithashtu se ndryshimet e propozuara mund të dekurajojnë investitorët e huaj dhe të ndikojnë negativisht në krijimin e vendeve të punës. Ndërsa ulja e TVSH-së në 6% për disa produkte ushqimore synon lehtësimin e kostos së jetesës, rritja e normave të tjera mund të sjellë shtrenjtimin e një game të gjerë mallrash dhe shërbimesh.
Për këtë arsye, Dhoma Amerikane kërkon një analizë më të thelluar të ndikimit ekonomik dhe social të paketës fiskale, si dhe konsultim të mirëfilltë me komunitetin e biznesit përpara miratimit përfundimtar të ndryshimeve.
Qendra Alert/Alert.al


