Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) kundërshton rritjen e propozuar të TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%, pjesë e paketës fiskale 2027, duke e cilësuar masën si një goditje të drejtpërdrejtë për konkurrueshmërinë e sektorit. Sipas shoqatës, vendimi është propozuar pa konsultim me grupet e interesit dhe pa një analizë të mirëfilltë të ndikimit ekonomik.
ATA paralajmëron se rritja e taksës vjen në një kohë kur bizneset formale të turizmit po përballen me zhvlerësimin e euros, dyfishimin e pagave dhe rritjen e kostove të lëndëve të para. Shoqata thekson se norma e reduktuar e TVSH-së ka ndihmuar në zhvillimin e turizmit shqiptar dhe se rritja e saj mund të dobësojë pozicionin e vendit përballë konkurrentëve rajonalë.
Sipas deklaratës, problemi kryesor mbetet informaliteti në tregun e akomodimit. ATA i referohet Strategjisë së Turizmit 2026–2030, sipas së cilës 78% e kapaciteteve akomoduese përbëhen nga apartamente me qira ditore, që operojnë kryesisht në informalitet, ndërsa vetëm 22% janë hotele. Për këtë arsye, shoqata kërkon pezullimin e propozimit, konsultim me bizneset dhe përqendrim te formalizimi i tregut, në vend të rritjes së barrës fiskale.
Deklarata e plotë e Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)
Propozimi për rritjen e TVSH-së në akomodim godet drejtpërdrejt konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar
Shoqata Shqiptare e Turizmit ATA shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me Projekt-Vendimin për rritjen e TVSH-së në shërbimin e akomodimit nga 6% në 10%.
Ky projektvendim, i ndërmarrë pa asnjë konsultim paraprak me grupet e interesit dhe pa një analizë të mirëfilltë ndikimi, përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj qëndrueshmërisë dhe konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar në rajon.
Kjo masë vjen në një moment kritik, kur bizneset formale të sektorit po përballen me sfida të rënda mbijetese, të shkaktuara nga:
* Rënia e euros, e cila ka dëmtuar ndjeshëm të ardhurat nga turistët e huaj.
* Dyfishimi i pagave në sektor për të mbajtur fuqinë punëtore.
* Rritja e çmimeve të lëndëve të para si pasojë e krizave globale.
Rritja historike e turizmit shqiptar, me numrin e vizitorëve që u rrit nga 6 milionë në 12.6 milionë, duke e çuar kontributin e sektorit në 1/4 e PBB-së dhe 44% të eksporteve, ka qenë pikërisht produkt i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6%.
Duhet rikujtuar se zbatimi i TVSH-së 6% nuk ishte një dhuratë, por rezultat i një rruge të gjatë advokimi nga Shoqata jonë, e cila bindi FMN-në dhe Qeverinë Shqiptare. Vetë Kryeministri angazhoi një grup ekspertësh nga Universiteti i Harvardit, të cilët, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Turizmit, hartuan raportin për ringritjen e sektorit, ku masa kryesore e rekomanduar ishte ulja e TVSH-së, sipas modelit të Këshillit Evropian dhe Direktivës 2006/112/EC.
Sot, Evropa mban 52% të turizmit botëror me vetëm 6.8% të sipërfaqes së globit, falë pikërisht këtyre politikave nxitëse fiskale.
Zgjidhja nuk është taksimi i biznesit formal, por formalizimi i tregut. Në vend që të ndëshkohen sipërmarrjet që paguajnë rregullisht taksat, vëmendja e qeverisë duhet të orientohet drejt informalitetit.
Sipas vetë Strategjisë së Turizmit 2026–2030, sot 78% e kapaciteteve akomoduese në Shqipëri përbëhen nga apartamente me qira ditore që operojnë kryesisht në informalitet, ndërsa vetëm 22% janë hotele. Shqipëria posedon vetëm 1% hotele me 4–5 yje, ndërsa vendet e rajonit, si Mali i Zi dhe Kroacia, numërojnë 7% deri në 10%.
Statistikat zyrtare të INSTAT tregojnë se me 12.4 milionë turistë raportohen vetëm 10 milionë netë fjetje. Për krahasim, Mali i Zi me 2.7 milionë turistë raporton 15.6 milionë netë fjetje, ndërsa Kroacia kalon 110 milionë netë fjetje me 21 milionë turistë.
Këto shifra dëshmojnë qartë se zgjidhja për rritjen e të ardhurave në buxhet nuk është rritja e taksave mbi sipërmarrësit e ndershëm, por formalizimi i tregut të pakontrolluar.
Shoqata Shqiptare e Turizmit i bën thirrje zyrtare Qeverisë Shqiptare:
* Të pezullojë Projekt-Vendimin për rritjen e TVSH-së në akomodim.
* Të nisë pa vonesë një proces gjithëpërfshirës konsultimi me grupet e interesit dhe përfaqësuesit e sektorit.
* Të përqendrojë të gjitha kapacitetet në luftën kundër informalitetit, për të krijuar një treg me konkurrencë të ndershme.
Qendra Alert/Alert.al


