Shoqata ProEksport Albania në përfaqësim të industrisë prodhuese dhe eksportuese të veshjeve dhe këpucëve, paraqet kërkesat e saj për Paketën Fiskale 2027, për të lehtësuar barrën mbi pagat, për të nxitur investimet dhe për të përballuar kostot e prodhimit dhe forcimin e lekut ndaj euros.
ProEksport Albania kërkon që pragu i patatueshëm i pagës të rritet në 60 mijë lekë në muaj dhe të aplikohen politika të reja fiskale e financiare në mbështetje të industrisë prodhuese dhe eksportuese. Në propozimet për Paketën Fiskale 2027, shoqata argumenton se rritja e kostove të jetesës dhe të prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore dhe forcimi i lekut ndaj euros po ushtrojnë presion mbi bizneset, duke vënë në vështirësi konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare.
Në kërkesat drejtuar institucioneve, ProEksport Albania propozon që, nga 1 janari 2027, tatimi mbi të ardhurat nga punësimi të aplikohet vetëm mbi pjesën e pagës që tejkalon 60 mijë lekët në muaj, për të gjithë punëmarrësit. Sipas shoqatës, kjo masë do të rriste pagën neto të punonjësve, do të forconte fuqinë blerëse dhe do të ndihmonte në ruajtjen e punësimit formal.
Një tjetër kërkesë lidhet me mbështetjen financiare të industrisë prodhuese dhe eksportuese. Shoqata vlerëson se forcimi i vazhdueshëm i lekut ndaj euros dhe rritja e kostove të prodhimit kanë dëmtuar konkurrueshmërinë e sektorit, pavarësisht investimeve të bizneseve në teknologji, automatizim dhe rritjen e produktivitetit.
Për këtë arsye, ajo kërkon përfshirjen në Paketën Fiskale 2027 të granteve për investime produktive, lehtësive tatimore dhe instrumenteve financiare që mbështesin modernizimin e ndërmarrjeve dhe rrisin kapacitetet e tyre konkurruese.
Në fokus është edhe rishikimi i programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”. ProEksport Albania kërkon thjeshtimin e procedurave bankare dhe rishikimin e kritereve të programit, të cilat, sipas saj, vijojnë të pengojnë aksesin në financim për një pjesë të konsiderueshme të ndërmarrjeve.
Në përfundim, shoqata kërkon shqyrtimin e propozimeve nga institucionet përgjegjëse, organizimin e një takimi institucional dhe një përgjigje zyrtare mbi kërkesat e paraqitura. Ajo shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet për hartimin e politikave që synojnë mbështetjen e prodhimit vendas, ruajtjen e vendeve të punës dhe forcimin e eksporteve shqiptare.
Qendra Alert/Alert.al


