Rritja e propozuar e TVSH-së nga 20% në 21% në Paketën Fiskale 2027 ka sjellë reagimin e shoqatave të transportit publik, të cilat kundërshtojnë rritjen e barrës fiskale dhe paralajmërojnë se ajo mund të përkthehet në shtrenjtim të biletave për qytetarët.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë njoftuar se ditën e enjte, më 26 nëntor, shërbimi i transportit publik në të gjitha qytetet e vendit do të nisë në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.
Vendimi vjen në prag të seancës plenare të Kuvendit, ku më 26 nëntor është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Sipas shoqatave, rritja e TVSH-së do të sjellë shtim të kostove për operatorët dhe për pasojë, rrezikon të reflektohet në çmimin e biletave të transportit publik. Ata kundërshtojnë kalimin e kësaj barre financiare te qytetarët, duke argumentuar se transporti publik nuk është një shërbim luksi, por një nevojë e përditshme për mijëra persona që e përdorin për të shkuar në punë, shkollë, spitale dhe për të marrë shërbime të tjera thelbësore.
Përmes këtij veprimi, shoqatat kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse dhe marrjen në konsideratë të kërkesave të tyre, me qëllim ruajtjen e çmimit aktual të biletës dhe garantimin e vijimësisë së shërbimit publik.
Qendra Alert/Alert.al


