Dy institucione publike në qarkun Dibër janë ndëshkuar me gjobë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pas mosrealizimit të detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme.
Kopshti nr. 3 në Peshkopi dhe Spitali Civil Peshkopi janë gjobitur me nga 30 mijë lekë secili, në total 60 mijë lekë, për moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara gjatë kontrolleve të mëparshme të inspektorëve të AKU-së.
Sipas njoftimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, masat administrative janë vendosur pasi subjektet nuk kanë përmbushur detyrat e lëna nga inspektimet paraardhëse, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e vazhdueshëm të standardeve të sigurisë ushqimore në institucione ku ofrohet ushqim për fëmijë dhe pacientë.
AKU bën me dije se gjatë kontrolleve në të gjitha Operatorët e Biznesit Ushqimor (OBU) janë lënë detyra për përmbushjen e kërkesave të legjislacionit në fuqi për ushqimin. Zbatimi i tyre do të jetë objekt i monitorimit të vazhdueshëm nga autoriteti.
Institucioni deklaron se do të vijojë bashkëpunimin me organet ligjzbatuese për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. Megjithatë, gjobitja e dy institucioneve publike për mosrealizimin e detyrave të lëna më herët tregon se kontrollet dhe masat administrative nuk kanë mjaftuar për të garantuar përmbushjen në kohë të detyrimeve.
Qendra Alert/Alert.al


