Karkaleci i kuq i Mazara-s, një prej produkteve më të kërkuara dhe më të shtrenjta të kuzhinës mesdhetare, mund të kushtojë mbi 100 euro për kilogram në tregun e peshkut. Por, pavarësisht vlerës së lartë dhe famës së tij gastronomike, emërtimi “Karkaleci i kuq i Mazara-s” nuk përbën një kategori të mbrojtur dhe nuk garanton domosdoshmërisht origjinën e produktit.
Me ngjyrën e kuqe të ndezur, shijen karakteristike dhe mishin e fortë është kthyer në një nga përbërësit më të preferuar të restoranteve të nivelit të lartë. Në restorante, një karkalec i vetëm mund të kushtojë 4-5 euro, ndërsa ekzemplarët më të mëdhenj shiten me çmime që kalojnë 100 euro/kg.
Por, çfarë e bën kaq të veçantë këtë produkt dhe sa të sigurt mund të jemi për origjinën e tij?
Valentina Tepedino, drejtoreshë dhe eksperte shkencore pranë Eurofishmarket, shpjegon se karkaleci i kuq i Mazara-s i përket species Aristaeomorpha foliacea. Ai peshkohet në thellësi të mëdha, nga 400 deri në 800 metra, në ujërat e Mesdheut, kryesisht në zonën mes Siçilisë dhe brigjeve të Afrikës së Veriut, përfshirë Algjerinë, Libinë dhe Tunizinë.
Peshkatarët e Mazara del Vallo janë specializuar prej vitesh në kapjen dhe përpunimin e këtij produkti. Anijet e tyre kryejnë udhëtime peshkimi që zgjasin disa javë dhe kanë pajisje për ngrirjen e menjëhershme të karkalecave, me qëllim ruajtjen e cilësisë dhe karakteristikave të tyre.
Megjithatë, emërtimi “Karkaleci i kuq i Mazara-s” nuk është një tregues zyrtar i mbrojtur nga Ministria e Bujqësisë italiane. Kjo do të thotë se emri nuk garanton automatikisht që produkti është kapur nga flota e peshkimit të Mazara del Vallo. Garanci më të qarta ofrojnë prodhuesit që deklarojnë vullnetarisht në etiketë anijen e peshkimit dhe zonën konkrete të kapjes.
Një tjetër paqartësi lidhet me mënyrën e tregtimit. Edhe pse karkaleci i kuq i Mazara-s përdoret shpesh në përgatitje të pagatuara, konsumatorët nuk duhet ta ngatërrojnë këtë me produktin e freskët. Këta karkaleca zakonisht ngrihen menjëherë pas kapjes dhe më pas tregtohen të shkrirë. Në shumë raste përdoren edhe sulfite, si konservues, të cilat duhet të deklarohen në etiketë.
Përveç çështjes së origjinës, shqetësim mbetet edhe ndikimi i peshkimit në ekosistemin detar. Kapja kryhet në det të hapur, në zonën FAO 37, që përfshin të gjithë Mesdheun, përmes rrjetave të peshkimit që mund të dëmtojnë fundin e detit dhe të sjellin kapjen aksidentale të specieve të tjera.
Sipas Tepedino-s, vitet e fundit është vërejtur një rënie e sasive të kapura. Për të mbrojtur rezervat janë vendosur kuota peshkimi dhe madhësi minimale të lejuara për kapjen, ndërsa flotat kontrollohen për respektimin e këtyre kufizimeve.
Rreziku i mashtrimit në treg
Një nga problemet kryesore për konsumatorët është mundësia e zëvendësimit të karkalecit të kuq të Mazara-s me specie të tjera, që kanë pamje të ngjashme, por vlerë dhe karakteristika të ndryshme.
Ekspertja paralajmëron se në Oqeanin Atlantik peshkohen karkaleca të species Aristaeopsis edwardsiana, të cilët mund të ngatërrohen me karkalecin e kuq të Mazara-s. Në disa raste, ekzemplarë të llojeve të ndryshme mund të përzihen edhe në të njëjtën kuti, duke e bërë të vështirë identifikimin e produktit të vërtetë.
Një mënyrë për t’i dalluar është kontrolli i dhëmbëzimeve të vogla në pjesën e përparme të kokës, në zgjatimin që ndodhet mes syve. Karkaleci i kuq i Mazara-s ka 4-5 dhëmbë te meshkujt dhe 7-8 te femrat, ndërsa karkaleci i kuq i Atlantikut ka zakonisht tre.
Megjithatë, ky identifikim nuk është i lehtë për konsumatorin, sidomos kur karkaleci shitet pa kokë.
Për këtë arsye, këshilla e ekspertes është që blerësit t’u drejtohen tregtarëve të besueshëm dhe të kontrollojnë me kujdes informacionin në etiketë. Aty duhet të jenë të shënuara metoda e prodhimit, kategoria, pajisjet e përdorura për peshkim, gjendja fizike e produktit, origjina dhe përbërësit.
Deklarimi i zonës së saktë të kapjes është veçanërisht i rëndësishëm. Sepse kur informacioni mungon ose është i paplotë, rreziku që një produkt më pak i kushtueshëm të shitet si karkalec i kuq i Mazara-s bëhet më i madh. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


