Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Anila Sefa, gazetare në Lushnje dhe një ndër fitueset për gazetarinë më të mirë mjedisore me kronikën “Së bashku mbrojmë mjedisin” foli për problematikat e mjedisit që sipas saj janë të njëjta prej dy dekadash, ndotjen e plazheve dhe mosmarrjen e masave për pastrimin e tyre.
“U angazhova në projekt dhe së bashku me përfaqësues të INSA-s kemi parë të gjitha problematikat dhe resurset që përmban zona e parkut kombëtar të Divjakës. Ishte periudhë vere dhe gjithçka është parë nga afër dhe për herë të parë kemi diskutuar mbi bashkëpunimin e ogranizatave dhe shoqërive, mediave në nivel lokal. Dhe nëse bashkëpunojmë të gjithë së bashku edhe problematikat mund të zgjidheshin. Ashtu siç është ngritur në media një nga problematikat më të mëdha të bregdeteve mbetet pastërtia e tij. Është e vështirë ta gjesh në Shqipëri. Janë qytetarët që kërkojnë lajme të kronikës së zezë, por nëse për mjedisin do të dimë t’i ngrejmë dhe bashkëpunojmë do ta çojmë në nivel më të lartë. Problematika që prej vitesh e dëgjojmë është ndotja e bregdetit prej 25 km nga Divjaka në Vilë Bashtovë dhe më pas në Spille. E gjithë kjo zonë e madhe ka mbetur e tillë pasi një projekt i inicuar nga qeveria në 2018 është dëmtuar. Projekti u dëmtua vetëm 1 muaj pasi u ngrit. Nuk u arrit që ky projekt të bënte ngritjen e barrierave mbrojtëse me qëllim që mbetjet që vinin mos të kalonin në zonën e plazhit. U dëmtua dhe ky difekt nuk është riparuar. Objekte shumë të mëdha si p.sh kolltuk janë sjellë në zonën me të populluar të plazhit dhe ende nuk ka nisur pastrimi i tij, megjithëse jemi në muajin maj. Problematikat e mjedisit prej 2 dekadash janë të njëjta. Vetëm në kohën kur vjen sezoni turistik diskutojmë a erdhën turistë apo jo, por gjatë gjithë vitit nuk shohim problemin që është aty, kryesisht ndotja”-tha Anila Sefa.
Në lidhje me hapësirën që i kushton media problemeve të mjedisit, Anila Sefa deklaroi se kronika e saj që u shpall fituese ishte 15 minuta dhe nuk u transmetua në asnjë media. Sefa thekson se mediat e kanë të kufizuar orarin e dhënies së lajmeve apo emisioneve dhe se kronikat e saj i publikon kryesisht në mediat lokale dhe në rrjete sociale.
Qendra Alert/Alert.al


