Projekti për qëndrueshmërinë klimatike dhe zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri po përballet me vonesa të konsiderueshme, ndërsa shumica e fondeve të parashikuara mbeten të pashpenzuara dhe objektivat kryesore nuk kanë shënuar progres. Banka Botërore e vlerëson ecurinë e tij si “mesatarisht të pakënaqshme”, duke ngritur shqetësime për kapacitetet institucionale, prokurimet dhe ritmin e zbatimit.
Nga 72.4 milionë dollarë financim, deri në raportimin e fundit janë disbursuar vetëm 6.51 milionë dollarë, ndërsa 65.89 milionë dollarë mbeten ende të padisbursuara. Pavarësisht se projekti u miratua në mars 2023 dhe hyri në fuqi në shkurt 2024, rezultatet konkrete në terren mbeten larg objektivave të përcaktuara.
Sipas raportit të publikuar, vlerësimi “mesatarisht i pakënaqshëm” mbetet i pandryshuar si për progresin drejt objektivave të zhvillimit, ashtu edhe për zbatimin e përgjithshëm të projektit. Banka Botërore evidenton vonesa në prokurime, kapacitete të kufizuara institucionale dhe probleme në përgatitjen e aktiviteteve dhe finalizimin e kontratave.
Pasojat e këtyre vonesave janë të dukshme në disa prej komponentëve kryesorë. Qendrat për grumbullimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, të njohura si Micro Food Hubs, nuk janë krijuar ende, duke lënë në zero shitjet e synuara prej 6,000 tonësh. Asnjë fermer nuk ka përfituar deri më tani nga aktivitetet e këtyre qendrave dhe grupimet prodhuese të mbështetura nga projekti.
Edhe investimet në ujitje dhe kullim nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme. Sipërfaqja bujqësore që ka përfituar nga shërbimet e përmirësuara mbetet zero, kundrejt objektivit prej 12,300 hektarësh. Nuk ka progres të regjistruar as në uljen me 30% të kostove të ujitjes dhe në përdorimin e energjisë së rinovueshme në këto sisteme.
Vonesat shtrihen edhe në sigurinë ushqimore. Asnjë nga gjashtë pikat e inspektimit kufitar të planifikuara nuk është përfunduar, ndërsa nuk ka progres të regjistruar në shtimin e analizave laboratorike, trajnimin e 75 punonjësve dhe rritjen e kapaciteteve të magazinimit për produktet e bllokuara.
Një tjetër shqetësim lidhet me kapacitetet institucionale për zbatimin dhe qëndrueshmërinë e projektit, të cilat Banka Botërore i klasifikon tashmë si me risk të lartë. Edhe risku fiduciar, që përfshin administrimin e fondeve dhe procedurat e prokurimit, është rritur nga niveli mesatar në atë të konsiderueshëm.
Megjithatë, raporti evidenton disa shenja përmirësimi, përfshirë nisjen e punimeve në skemën e ujitjes së Mursisë dhe përparimin në modernizimin e sistemeve të ujitjes dhe laboratorëve.
Për të përshpejtuar zbatimin, Ministria e Bujqësisë dhe Banka Botërore kanë rënë dakord të forcojnë mbikëqyrjen, koordinimin institucional, prokurimet dhe monitorimin e rezultateve. Projekti ka afat përfundimi shtatorin e vitit 2028, çka lë rreth dy vjet për të përshpejtuar investimet dhe për të përmbushur objektivat e parashikuara.
Qendra Alert/Alert.al


