Rezervimet për pushime mund të kthehen në një kurth për udhëtarët, nga akomodimet që nuk ekzistojnë deri te mesazhet mashtruese që kërkojnë pagesa shtesë. Për këto rreziqe, Komisioni Evropian ka hapur një hetim formal ndaj platformës Booking.com, për të verifikuar nëse ajo përmbush detyrimet e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA). Në fokus janë listimet e rreme, sulmet e phishing dhe mungesa e transparencës për reklamat e paguara në rezultatet e kërkimit.
Lëvizja e BE-së vjen në një moment kur mashtrimet digjitale kanë shënuar rritje të ndjeshme. Sipas përfaqësuesve të Komisionit Evropian, gjatë periudhës 2022-2024 rastet e mashtrimit janë rritur me 500% në nivel global, ndërsa dëmi financiar për vitin 2024 parashikohet të arrijë në 4.2 miliardë euro.
Lidhur me qëndrimin e institucioneve evropiane, zëdhënësi për çështjet digjitale, Thomas Regnier, u shpreh gjatë një konference për shtyp: “Rezervimet nuk po bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar mashtrimet dhe mashtrimet online.”
Tri shtyllat e hetimit evropian
Hetimi i Komisionit Evropian përqendrohet në tri fusha kryesore të funksionimit të platformës:
-Akomodimet inekzistente dhe listimet e rreme.
Komisioni po shqyrton nëse platforma lejon publikimin dhe qëndrimin aktiv të listimeve për prona që nuk ekzistojnë fizikisht ose që nuk përputhen me përshkrimin e paraqitur në internet. Zëdhënësi Regnier ilustroi problemin me rastet kur udhëtarët “rezervojnë një hotel, arrijnë në adresën e treguar dhe hoteli nuk është aty”. Hetimi synon të vlerësojë nëse Booking.com ka mekanizma të mjaftueshëm për të identifikuar, verifikuar dhe hequr në kohë listimet mashtruese, përpara se ato të shkaktojnë humbje financiare për klientët.
-Phishing dhe kërkesat mashtruese për pagesa.
Një tjetër drejtim i hetimit lidhet me sigurinë e të dhënave personale të përdoruesve, përfshirë emrat, numrat e telefonit dhe adresat e email-it. Komisioni do të shqyrtojë nëse masat e marra nga platforma janë të mjaftueshme për të mbrojtur udhëtarët nga sulmet e phishing dhe komunikimet mashtruese. Shqetësim përbëjnë veçanërisht mesazhet që imitojnë komunikimet zyrtare të akomodimeve dhe që u kërkojnë klientëve të kryejnë pagesa shtesë, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një procedurë të zakonshme të rezervimit.
-Transparenca e reklamave të sponsorizuara
Komisioni po shqyrton gjithashtu mënyrën se si paraqiten rezultatet e kërkimit dhe nëse përdoruesit informohen qartë kur një akomodim shfaqet në një pozicion më të favorshëm për shkak të reklamimit me pagesë.
Promovimi i listimeve përmes marrëveshjeve tregtare nuk është në vetvete i paligjshëm. Megjithatë, Akti i Shërbimeve Digjitale kërkon transparencë për reklamat, në mënyrë që përdoruesit të kuptojnë kur një përmbajtje është e sponsorizuar dhe kush qëndron pas saj. Brukseli kërkon të verifikojë nëse klientët mund të dallojnë lehtësisht rezultatet e zakonshme nga vendosjet e paguara.
Përgjegjësinë e platformave të mëdha në mbrojtjen e konsumatorëve e ka theksuar edhe nënkryetarja e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen: “Qytetarët evropianë duhet të jenë në gjendje të rezervojnë pushimet e tyre pa frikën se do të mashtrohen. DSA u vendos përgjegjësi të qarta platformave për të adresuar këto rreziqe dhe ne duhet të sigurohemi që platforma kryesore e rezervimeve në Evropë t’i marrë ato seriozisht.”
Përgjigjja e Booking.com dhe pasojat e mundshme
Pas njoftimit të Komisionit Evropian, Booking.com deklaroi se është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet rregullatore për çështjet e ngritura. Në një komunikim për mediat, kompania theksoi angazhimin e saj për sigurinë e përdoruesve dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
“Ne bashkëpunojmë plotësisht me Komisionin Evropian dhe marrim pjesë në mënyrë konstruktive në diskutimet mbi çështjet e ngritura sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale. Siguria, besimi dhe mbrojtja e të dhënave personale janë përparësi kryesore për Booking.com.”
Hapja e hetimit nuk nënkupton se kompania është shpallur fajtore për shkelje. Megjithatë, nëse Komisioni konstaton se Booking.com nuk ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga nenet 26, 34 dhe 35 të Aktit të Shërbimeve Digjitale, platforma mund të përballet me masa rregullatore dhe sanksione financiare, si dhe me detyrimin për të ndryshuar praktikat e saj.
Komisioni ka bërë të ditur se procedura do të trajtohet me përparësi, ndërsa gjatë hetimit mund të merren edhe masa të përkohshme mbrojtëse, nëse plotësohen kushtet ligjore. Hetimi synon të përcaktojë nëse një nga platformat më të përdorura për rezervimin e akomodimeve në Evropë po merr masa të mjaftueshme për të mbrojtur klientët nga mashtrimet, për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe për të ofruar informacion transparent gjatë procesit të rezervimit.
Qendra Alert/Alert.al


