Menu

Biznesi, 10 kërkesa qeverisë për të përballuar krizën e energjisë elektrike

Kriza e energjisë elektrike për sipërmarrjen çdo ditë e më shumë po bëhet një faktor kërcënues që po e çon drejt pamundësisë dhe falimentimit. Në një deklaratë të përbashkët bizneset i kanë  shtruar qeverisë një sërë kërkesash për të përballuar situatën.

“Përballja reale me këto çmime po vë në vështirësi një pjesë të madhe të bizneseve të industrive prodhuese, të cilët edhe pse mund të arrijnë të sigurojnë energjinë, po paguajnë një kosto të lartë për të, çka do të reflektohet tek kostoja e prodhimit e në vazhdim me efekt zinxhir te kostoja e produkteve të tregut të konsumatorëve.

Pjesa më e madhe e bizneseve në grupin që do të dalin në tregun e lirë janë në zonat e industrializuara dhe kryesisht mes Tiranës dhe Durrësit. Kërcënohemi përballë një kolapsi ekonomik dhe social, pasi efekti që krijohet nga rritja e çmimeve tani do të jetë zinxhir me ndikim në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kriza energjetike po kërcënon seriozisht bizneset shqiptare, të cilat me daljen në treg të lirë me çmime të trefishuara rrezikojnë mbylljen. Bizneset e mëdha prodhuese nuk mund ta përballojnë të vetme një rritje kaq të madhe të çmimit të energjisë elektrike, jemi të pambrojtur nga këto luhatje të tregut qoftë ndërkombëtar por edhe nga tarifat e shpërndarjes që ofrohen nga tregu vendas. Për sipërmarrjet prodhuese, shpenzimet për energjinë elektrike zënë një pjese të konsiderueshme të kostos së prodhimit të çdo produkti e cila varion nga 20-40%, në varësi të teknologjisë së instaluar që përdoret për prodhim industrial. Shoqatat e Biznesit kërkojnë tryezë bisedimesh me qeverinë për të gjetur nje zgjidhje për kostot e larta të energjisë.

Për këtë arsye Dhoma  e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Shoqatat e biznesit; Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, Qendra e Eksporteve Shqiptare, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë,  Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, Dhoma Italiane në Shqipëri, Unioni Tregtar Agroushqimor dhe Industrial, Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit”, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë sjellin këtë deklaratë publike me kërkesa për qeverinë shqiptare sa më poshtë vijon:

  1. Të hiqet kufizimi ligjor prej 0.5 MW i energjisë së rinovueshme për vetëkonsum dhe të lejohet në vlerë të barabartë me fuqinë e instaluar të operatorit ekonomik.
  2. Të realizohet matja e balancës e konsumit dhe emetimit të energjisë në bazë vjetore. Energjia e emetuar nga vetë prodhuesi që përfitohet nga OSHEE, duhet të ketë një çmim.
  3. Qeveria të krijojë një mekanizëm për subjektet prodhuese të industrisë ushqimore që furnizohen në tensionin 35 dhe 110 kv për të qenë në të njëjtat kushte si konsumatorët e tjerë të këtij sektori të cilët furnizohen në linjat e tensionit 6/10/20 kv, nëpërmjet furnizimit te tyre nga operatoret shtetërore ose përmes një instrumenti financiar kompensimi.
  4. Të garantohen parametrat e cilësisë së furnizimit me energji elektrike/sipas standardeve të BE-se, evitimi i ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit, veçanërisht luhatjet e tensionit të rrjetit të cilat janë mbi normat teknike të lejuara nga teknologjitë, makineritë dhe pajisjet e instaluara në biznese.
  5. Njëkohësisht me ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë elektrike nga burime diellore dhe të erës, bëhet e nevojshme, për të garantuar stabilitetin dhe ekuilibrin e transmetimit në rrjet të Energjisë Elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme, të stimulohen investimet dhe në Hidrocentrale duke përdorur potencialin e disponueshëm në vend të barabartë me 800 / 1000 Mëp.
  6. Të deklarohet nga qeveria data se kur do të bëhet funksionale Bursa Shqiptare e Energjisë;
  7. Investimet në prodhimin e energjive të rinovueshme për vetëkonsum, të financohen 50% me kontributin e qeverisë dhe të mbulohen financimet me kredi 100% e vlerës së investimit nga garancia sovrane;
  8. Për zbatimin e kërkesave të mësipërme, qeveria të formalizojë ngritjen e një grupi pune në përbërje të të cilit të ketë ekspertë nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe përfaqësues të organizatave të Biznesit.
  9. Për të gjitha këto kërkesa të ngritura nga sipërmarrësit, presim një reagim për të marrë përgjigje nga qeveria, deri në datën 10 mars 2022, përndryshe sipërmarrja private nëpërmjet përfaqësuesve të saj do të shpalosë agjendën e reagimit e cila do të bëhet e ditur në vijim”, thuhet në deklaratë.
  10. Për të gjitha këto kërkesa të ngritura nga sipërmarrësit, presim një reagim për të marrë përgjigje nga qeveria, deri në datën 10 mars 2022, përndryshe sipërmarrja private nëpërmjet përfaqësuesve të saj do të shpalosë agjendën e reagimit e cila do të bëhet e ditur në vijim.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts