Menu

Çmimi i miellit dhe i gazit më i lirë se në muajin mars, furrat e bukës mbajnë çmimin 100 lek pa peshë të përcaktuar

Një nga temat më të diskutuara në kuadër të rritjes së çmimeve, ka qenë ai i bukës. Në vitin 2021, furrat e bukës e çuan çmimin e bukës masive në 90 lek për bukë, për një peshë që askush nuk e di sa është me saktësi, dikush 800 gram (në raste shumë të rralla), shumica 700 apo edhe 650. Për shkak të konfliktit në Lindje, fundi i muajit shkurt dhe fillimi i marsit 2022, sollën rritje të menjëhershmë të drithrave në bursë, e cila u reflektua edhe në tregun tonë e për pasojë, prodhuesit e bukës menjëherë u lëshuan të rrisin çmimin e bukës edhe 10 lek të tjera. Pra, 100 lek një bukë, 600, 700 dhe rrallë herë 800 gram. Kur ndodhi kjo rritje në muajin mars, furrat e bukës furnizoheshim me miell, i cili kishte çmimin 85-87 lek për kilogram. Ndërsa sot, ato po furnizohen me 75-78 lek mesatarisht. Kjo rënje e çmimit të miellit pritet të vijojë, për shkak të situatës së krijuar javët e fundit, pra lejimit të eksportit të drithrave nga Ukraina, gjë që ka ndikuar direkt në rënjes në bursa e do të vazhdojë të bjerë. Por, kjo ulje duket se nuk ka gjasë të reflektohet te konsumatori. Ndërkohë, që  nuk duhet harruar se në muajin mars, një litër gaz shitej 100 apo 110 lek, sot është mesatarisht 72 lek.

Në kohët kur do të vendosej për rritjen e çmimit të bukës, menjëherë furrtarët e organizuar në një shoqatë, ose një pjesë e tyre, u mblodhen e bënë llogaritë, që sipas tyre, kjo duhet të ndodhte. Ndërsa sot, as nuk mendojne që disa kosto u ulen, përfshirë lëndën bazë, miellin, por edhe çmimin e gazit. Kjo nuk do të ndodhë as në ditët në vijim, kur çmimi i miellit do t’ju shkojë në furra me 70 apo edhe 65 apo 60 lek për kilogram, nëse nuk nisin kontrollet e menjëhershme të Tatimeve, të Inspektoritit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregjeve, apo nëse ndodh që Bordi i Transparencës, të vendosë çdo javë një çmim për shitjen e bukës, duke e përcaktuar qartë çmimin për kilogram apo 100 gram bukë. Në të kundërt, furrtarët do të vazhdojnë të abuzojnë duke mos e ulur çmimin, duke mbajtur të rritur marzhin e fitimit dhe jashtë çdo kontrolli. Vlen të theksohet se, me 1 kv miell që sot kushton mesatarisht 7500-7800 lek, prodhohen 180 bukë, që shiten 18000 lek në total. Duke llogaritur dhe çmimin e gazit, apo të energjisë, që furrat e bukës e paguajnë sa abonentët familjar, fitimi i tyre është 100 për qind. Ata që vuajnë janë konsumatorët, shumica e të cilëve, produkt të parë për ushqyerjen kanë bukën.

Qendra ALERT

Related Posts