Sipas të dhënave nga INSTAT, çmimi mesatar i një kilogrami ushqim të importuar në vitin 2024 ishte 120.8 lekë, duke rënë me 7% krahasuar me 129.8 lekë në vitin 2023. Në raport me vitin 2022, rënia është edhe më e ndjeshme, me një ulje totale prej 17%.
Ekspertët shpjegojnë se kjo rënie e çmimeve të importit është ndikuar nga dy faktorë kryesorë: kursi i këmbimit dhe situata në tregjet ndërkombëtare. Forcimi i lekut kundrejt euros ka bërë që importet të jenë më të lira, duke rritur fitimet e importuesve. Po ashtu, çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare kanë vazhduar të bien pas rritjes së ndjeshme që pësuan me nisjen e luftës në Ukrainë.
Megjithatë, ulja e çmimeve të importit nuk është reflektuar në tregun e brendshëm. Pavarësisht kostove më të ulëta për importuesit, konsumatorët shqiptarë nuk po përfitojnë nga kjo rënie. Importuesit dhe distributorët argumentojnë se po përballen me rritje të kostove të brendshme, kryesisht për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, që i ka detyruar të rrisin pagat. Përveç kësaj, kostot operative, transporti dhe taksat mbeten faktorë që ndikojnë në çmimet e produkteve në tregjet e brendshme.
Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të përballet me çmime të larta të produkteve ushqimore, pavarësisht se, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ka përfituar nga kursi i këmbimit. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës, sidomos në kryeqytet. Sipas indeksit të fundit të publikuar nga “Numbeo”, një databazë globale që mat koston e jetesës, Tirana renditet në vendin e 92-të mes 141 qyteteve europiane për kostot e larta të jetesës.
Në Shqipëri, shpenzimet për ushqime zënë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave mujore. Sipas “Numbeo”, më 2025, indeksi i çmimeve të produkteve ushqimore për Shqipërinë shënoi 42.5%, që do të thotë se një banor i Tiranës shpenzon për ushqime sa 42.5% e një qytetari në Nju Jork. Për më tepër, shqiptarët çojnë mesatarisht mbi 43% të të ardhurave mujore për blerjen e ushqimeve, një përqindje shumë më e lartë se në shumicën e vendeve të Europës, ku shpenzimet për ushqime zënë një peshë më të vogël në të ardhurat mujore.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka një indeks më të ulët të qirasë në raport me qytetet e tjera europiane. Sipas të dhënave, qiratë në Tiranë përbëjnë vetëm 13.6% të kostos së një qytetari në Nju Jork, një tregues që e bën strehimin më të përballueshëm krahasuar me koston e ushqimeve.
Megjithëse importet e ushqimeve janë 2.7 herë më të larta se eksportet, çmimet për konsumatorët në tregun e brendshëm mbeten të larta. Kjo tregon se faktorë të tjerë, si kostot e brendshme dhe struktura e tregut, po ndikojnë në formimin e çmimeve, duke bërë që konsumatorët të mos përfitojnë plotësisht nga ulja e çmimeve të importit.


