Menu

Efektet që do të sjellë ndalimi i kimikateve nga BE

Drejtuesi i Chemours në të njëjtën linjë me prodhuesit e çipave, kundër propozimit të bllokut për të kufizuar përdorimin e varianteve PFAS.

Europa do të sabotojë shanset e saj për të zhvilluar një ekonomi të gjelbër, nëse ecën përpara me propozimet për të ndaluar të ashtuquajturat kimikate të përhershme, për arsye shëndetësore dhe sigurie, ka paralajmëruar shefi ekzekutiv i një prej kompanive kryesore kimike në botë.

Mark Newman, kreu i Chemours me bazë në Delaware, tha se “gara për dekarbonizimin përmes hidrogjenit do të pengohet”, nëse BE vendos të ndalojë një klasë të fluoropolimereve me performancë të lartë dhe afatgjatë, të njohur si PFAS (Per- and Polyfluorinated Substances). “Nuk mund të keni automjete elektrike pa fluoropolimerë, nuk mund të keni as gjysmëpërçues,” shtoi ai.

Këto kimikate sintetike, kanë miliona zbatime, nga enët e gatimit që nuk ngjisin, deri tek tekstilet, bateritë dhe telefonat. Industria kimike argumenton se, rezistenca e tyre e fortë ndaj ujit, vajit, temperaturës dhe gërryerjes, i bën ato të domosdoshme për shumë teknologji të gjelbra.

Megjithatë, molekulat nuk shpërbëhen lehtë dhe grumbullohen me kalimin e kohës tek njerëzit dhe në mjedis. Studimet kanë lidhur disa variante PFAS, me ngadalësimin e rritjes së fetusit dhe foshnjës, kancerin e veshkave dhe probleme të tjera shëndetësore. Substancat janë gjetur në gjakun e 97% të amerikanëve, sipas qeverisë amerikane.

Newman është një nga drejtuesit e parë të lartë të kimikateve, që kundërshtoi publikisht propozimin e BE-së, për të kufizuar përdorimin e të gjitha varianteve të PFAS, afërsisht 10,000 përbërje të ndryshme kimike.

“Është vërtet e mahnitshme për mua, që do të mendonim të largoheshim nga një grup kimikatesh, që mundëson ekonominë e gjelbër.” Një vendim i tillë do të drejtonte investimet jashtë bllokut dhe do të “deindustrializonte” Europën, tha ai.

Ndalimi do të ishte veçanërisht i dëmshëm për Chemours, pronar i markës Teflon dhe një nga prodhuesit kryesorë të PFAS në botë. Kompania siguron afërsisht një të katërtën e shitjeve dhe të ardhurave, nga divizioni që prodhon këto materiale.

Rreziqet shëndetësore dhe mjedisore nga këto lëndë kimike, kanë bërë që kompanitë e kimikateve të përballen me një valë në rritje të proceseve gjyqësore. Kompania BASF pati një rritje prej 83% në çështjet ligjore, ndërsa Clariant, kompania zvicerane e kimikateve, është emëruar si e pandehur në rreth 1,000 padi të PFAS të SHBA-së, thanë analistët e UBS (Union de Banques Suisses).

E shkëputur nga DuPont në 2015, kryesisht për të mbrojtur kompaninë mëmë kundër detyrimeve të PFAS, Chemours po përballet me disa padi në SHBA.

Ndalimi i propozuar i BE-së, i udhëhequr nga Gjermania dhe Holanda, konsiderohet të jetë legjislacioni më radikal kimik i propozuar ndonjëherë.

Muajin e kaluar, BE hapi një konsultim gjashtë-mujor mbi propozimet, ndërsa investitorët kanë kërkuar gjithashtu për t’i dhënë fund përdorimit të kimikateve. Shumë shtete të SHBA, po vihen në lëvizje për të kufizuar përdorimin e PFAS.

Perspektiva e një ndalimi me shumicë ka shkaktuar shqetësim të thellë në industrinë e gjysmëpërçuesve, ku fluoropolimerët janë kritikë për prodhimin e çipave më të avancuar.

Newman tha se, në shumë raste nuk kishte asnjë alternativë afatshkurtër ndaj këtyre përbërjeve shumë rezistente. “A jeni i gatshëm të prisni edhe 20 vjet për një alternativë, kur një e tillë mund të mos ekzistojë?” tha ai.

Në vend të kësaj, ishte e mundur të prodhoheshin në mënyrë më të sigurt, duke parandaluar emetimet e molekulave në mjedis dhe të asgjësoheshin siç duhet produktet në fund të jetës, tha ai.

“Ne mund të kemi një industri hidrogjeni sot dhe të prodhojmë PFAS me përgjegjshmëri,” tha ai.

Chemours ka investuar 75-100 milionë dollarë çdo vit, që nga viti 2018, për të parandaluar emetimet e PFAS në ajër dhe ujë dhe do të vazhdojë atë nivel të shpenzimeve, tha Newman. Kompania synonte të reduktonte emetimet me 99% përpara vitit 2030. (The Financial Times)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts