Duke renditur shkeljet e kryera nga DRAKU Tiranë në inspektimet e kryera në tre vitet e fundit, KLSH* veçon zbulimin e një sasie të madhe produktesh deti të prishura, që dyshohet se përfunduan në treg.
Nga inspektimi i kryer në subjektin X me autorizimin e datës 8 tetor 2018, sipas procesverbalit dhe vendimit perfundimtar më 19 tetor 2018, konstatohet se ishin 2530 kg karkaleca dhe peshk Merluc. Këto ishin produkte të ngrira, por u kishte ikur ngjyra. Inspektorët vlerësuan se nuk ka pasur drita elektrike për një farë kohe, ose duhet të ketë ndodhur ndonjë defekt në frigorifer.
Po ashtu u zbuluan defekte në ambalazhim dhe manipulim në ruajtjen e mallit. Në këto kushte vendos të bllokohej dhe të azgjësohej nga AKU kjo sasi porduktesh deti.
Gjoba nuk u pagua kurrë
Për shkeljet e konstatuara u muar masa administrative me gjobë 500 mijë lekë.
Nga të dhënat nga zyra e financës dhe zyra juridike konstatohet se në dosje nuk është shkresa e nisur subjektit për likujdimin vullnetar te detyrimit.
Pas kontrollit, DRAKU e harron peshkun dhe karkalecat dhe kujtohet për pronarin shumë kohë më vonë. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë të drejtuar nga DRAKU më 12 nëntor 2019 ishte si lëndë kjo gjobë ndaj subjektit X.
Në vendimin e datës 19 nëntor 2019, Gjykata e Shkallës Parë Tiranë e ka lënë në fuqi aktin administrativ dhe lëshimin e urdhrit ekzekutiv.
Pra, konstatojmë se nuk ka ndjekje të mëtejshme për fatin e karkalecëve dhe merlucëve të prishur. Por as për gjobën e vendosur nuk u kujtuan më. Kjo bëhet e qartë nga fakti se nuk është njoftuar zyra e përbaruesit privat, nuk ka shkresë të nisur në drejtim të subjektit të gjobitur. Sipas KLSH, me veprime e mosveprime i janë krijuar të ardhura të munguara shtetit me efekt negativ financiar në vlerën 500 mijë lekë.
Çfarë u bë me peshkun dhe karkalecat e bllokuar?
Në Procesverbal Inspektimin e datës 19 tetor 2018 në pikën 5 shkruhet se:
“U kostatuan sasia prej 2530 kg karkaleca dhe peshk merluc, kjo e ndarë në 830 kg karkaleca dhe 1700 kg merluc, produkte jane te ngrira. Produktet janë mbajtur në frigorifer ku ka munguar energjia elektrike, si pasojë shkrirja dhe ngrirja përsëri e produktit ka ndryshuar vetitë organoleptike, ngjyrës dhe erës. Si i tillë, produkti është i pakosumueshëm. Për këtë arsye u bllokua produkti”.
Vërehet se sasia e bllokuar nuk ka as një foto dhe nuk shprehen në proces verbal, si kanë vepruar në bllokim të produktit, me shirit, me dyllosje, apo me kyç? Po ashtu, isnpektorët e DRAKU Tiranë nuk kanë caktuar afat kohor për asgjësimin e produktit.
Në dokumentacionin e kërkuar nga grupi auditues i KLSH, nuk ka ndjekje në kohë të produktit të pakonsumushëm. Sipas dosjes së praktikës, të paraqitur nga DRAKU, konstatohet se më vonë, në 30 prill 2019 është kryer një inspektim tjetër tek subjekti X.
Ne përshkrimin e objektit të inspektimit thuhet “Zbatimi i legjislacionit në fuqi”. Nga inspektimi i kryer është konstatuar se objekti është i mbyllur. Në inspektimin e dytë nuk ka as foto të bashkagjitur për mbylljen e objektit ose dokument nga QKL ku të vërtetohet statusi i subjektit.
Janë kryer edhe dy inspektime të tjera në këtë objekt nga inspektorët. Më 26 qershor 2020, në përshkrimin e inspektimit thuhet: “Zbatimi i legjislacionit në fuqi”. Nga inspektimi i kryer është konstatuar se objekti është i mbyllur. Po ashtu edhe me tre muaj me vonë, në inspektimin e radhës, në procesverbalin e mbajtur deklarohet se objekti është i mbyllur.
Ndërkaq, mësohet arsyeja pse u bënë papritur të zellshëm dhe nisën ta inspektojnë këtë subjekt inspektorët e DRAKU Tiranë. Pronari ishte subjekt i OFL dhe policia i kërkonte me ngulm DRAKU-t të dhëna mbi aktivitetin e subjektit me qëllim që t’i bllokonte dhe sekuestronte pronat dhe aktivitetet.
Pra, ndërkohë që policisë i rezultonte se ky subjekt ekzistonte, ishte me status aktiv, për DRAKU-n ishte “i mbyllur”.
KLSH: Nuk u bashkëpunua me organet e tjera ligjzbatuese
Në dosje është një shkresë me nr.245111 prot datë 18 dhjetor 2020 nga DRAKU, ku është kthyer përgjigje nga Drejtori i DRAKU për një infonnacion të kërkuar për subjektin X. Policia i kishte kërkuar të dhënat e këtij subjekti. Shkresa kishte ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Departamenti i Policisë Kriminale, “Operacioni Forca e Ligjit” (OFL).
Si përfundim, KLSH konstaton se sasia prej 2530 kg karkaleca dhe peshk merluc, kjo e ndarë në 830 kg karkaleca dhe 1700 kg merluc produkt i pakonsumueshëm, nuk është asgjësuar, por inspektorët janë mjaftuar vetëm me një bllokim dhe nuk kanë ndjekur procedurat e tjera ligjore.
Nga koha e bllokimit datë 18 tetor 2018 deri në inspektimin e dytë në datën 30 prill 2019 periudhë 6 mujore nuk është vepruar nga DRAKU-Tiranë për ndjekjen e procedurave. Po ashtu konstatohet një mos bashkëpunim me organet e tjera ligj zbatuse, në këtë rast Policinë e Shtetit, konkretisht OFL-në.
Rekomandimi: DRAKU të ketë frigoriferin e vet
Justifikimi i përsëritur i inspektorëve të DRAKU-së Tiranë për mos marrjen në kontroll të ushqimeve të bllokuara është mungesa e ambjenteve nga AKU për mbajtjen e këtyre produkteve.
Pasi KLSH shprehet se përgjegjësia e lënies pa asgjësuar të produktit u takon 4 grupeve të inspektorëve të DRAKU Tiranë, lihet një rekomandim për drejtuesit e AKU.
Rekomandimi i KLSH për këtë fakt është që DRAKU dhe DPAKU të marrin masat e nevojshme, “duke analizuar dhe vlerësuar mundësitë e investimit në blerjen e dhomave frigoriferike ose marrjes me qira të tyre, me qëllim që produktet, të cilat bllokohen gjatë inspektimit dhe që do të asgjësohen, të ruhen në këto ambjente. Nëse ky proces finalizohet, vazhdon rekomandimi,-të sigurohen mimalisht 4 dhoma frigoriferike, pra 1 dhomë në dispozicion të 3 Qarqeve. Më konkretisht, dhoma frigoriferike për DRAKU Tiranë, të shërbeje edhe për DRAKU Elbasan dhe DRAKU Durrës, si dhe shërbimi i ruajtjes së produkteve të bllokuara në subjektet e inspektuara, t’u tarifohet atyre, deri në momentin e asgjësimit. Në këtë mënyrë çdo produkt, i cili bllokohet sipas përcaktimeve të Ligjit të ushqimit, nuk do t’i lihet në ruajtje subjektit, duke shmangur në këtë mënyrë edhe mundësitë, që produktit të futet përsëri në treg”. KLSH ka vendosur si afat kryerjen e këtij rekomandimi brenda 6 mujorit të dytë të vitit 2021. (vijon)
* * KLSH ka kryer një konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.
Qendra Alert
alert.al





