I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ilir Pilku ekspert për bujqësinë dhe zhvillimin rural bëri një analizë të 5 viteve të fundit mbi situatën e çmimeve në BE dhe si u ndikua Shqipëria nga kriza botërore.
“Në një analizë kam krahasuar mesataren e 5 viteve të fundit nga 2017 deri në 2022. Kultura e domates, mesatarja e BE në 5 vitet e kaluara rezultonte 122 lekë/kg ndërsa në shkurt të vitit 2023 mesatarja e BE është 266 lekë/kg. Ka një çoroditje të të gjitha normativave, të gjithë strukturës së kostos, si jemi afektuar negativisht? Holanda dhe Franca, dy eksportuesit më të mëdhenj të BE janë tërhequr me 30- 40% të prodhimeve të tyre, për arsye të lëndës djegëse, pra për ngrohjen e serave. Si afektohemi ne nga kjo krizë botërore? Një nga arsyet, plehërat kanë rënë me 40%, urea, por një gjë që ka rënë dhe nuk është ngritur është krahu i punës, nuk gjendet. Ka shkuar dita e punës në 3-3.5 mijë lekë të reja dhe nuk gjendet krah punë. Ndërhyrja që kërkohet nga shteti është një masterplan ekonomik, për të rivitalizuar ekonominë shqiptare. Përkrah kësaj kemi një sistem bankar që nuk reagon pozitivisht ndaj biznesit, vazhdojmë me kosto të larta të kredisë, nuk mbështet këtë lloj sipërmarrje në bujqësi dhe konkurrueshmëria është shumë e lartë. Janë elementë që e ndikojnë kostot dhe kjo është ajo që nuk bëhemi dot konkurrues. Kostot dhe çmimi i tregtuar i produkteve tona është më i lirë se i BE”-u shpreh Ilir Pilku.
Qendra Alert/Alert.al


