I ftuar në emisioni “Alert” nga Granit Sokolaj në News24, prodhuesi i bukës Pëllumb Boshi ka folur për bukën në këtë situatë pandemie, vështirësitë që ky sektor po kalon dhe mbi masat e marra për heqjen e sharrës së bukës.
“Është një situatë e pazakontë, nuk na kishte ndodhur ndonjëherë që dyqanet ose furrat e bukës të mbyllen, kemi punuar edhe në kohë lufte. Është një situatë shumë e vështirë, ku kufizohet një aktivitet me një fitim shumë të ulët. Kjo pati ndikimet e veta, pasi kur është e kufizuar liria njerëzit nuk dalin dhe paniku nga coronavirusi i frikësoi njerëzit. Gjithë kjo masë, në kohën kur nuk ka patur asnjë rast të infektuar me COVID-19 në prodhimin e bukës. Përsa i përket heqjes së sharrës së bukës, kjo nuk është në asnjë Akt Normativ. U diskutua nga një grup interesi që sharra e bukës të hiqej në furra, ndërkohë që në dyqane shpërndahet e prerë. Ky vendim ishte dëshirë e tjetër kujt, duan shkurtim stafi. Jemi në një situatë solidariteti dhe jo agresiviteti. E gjetën kohën e gabuar për të futur procesin e heqjes së sharrave, në kohën kur shitjet kanë rënë 3-fish dhe një sharrë buke kushton më e lira 2 mijë euro”-tha Pëllumb Boshi.
Qendra Alert/Alert.al

